Të paktën dy të vrarë nga sulmet ajrore ruse në Kiev

07:57 | 30 Gusht 2023
E.H

Të paktën dy persona janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur nga sulmet raketore ruse në Kiev mëngjesin e së mërkurës, njoftoi kryetari i qytetit ukrainas, Vitali Klitschko, në Telegram.

Trupat e dy personave u gjetën në një ndërtesë të pabanuar, ndërsa një person tjetër u lëndua nga copëzat e xhamave të thyer si pasojë e shpërthimit, tha Klitschko.

“Kievi nuk është përballur me sulm kaq të fuqishëm që nga pranvera. Armiku e ka kryer një sulm të kombinuar, duke përdorur dronë dhe raketa”, tha Serhi Popko, shefi i administratës ushtarake të kryeqytetit.

Ai tha se, fillimisht, disa grupe të dronëve ishin nisur drejt Kievit nga lokacione të ndryshme.

Pas tyre, Rusia goditi me raketa nga avionët strategjikë Tu-95.

“Në përgjithësi, forcat e mbrojtjes ajrore i shkatërruan më shumë se 20 caqe të armikut”, nënvizoi Popko.

Autoritetet në Kiev kanë thënë se disa ndërtesa dhe disa shtëpi janë dëmtuan nga sulmet me dronë dhe raketa natën e 29 gushtit./rel

Të ngjashme