Të paktën 35 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazën qendrore

16:32 | 31 Dhjetor 2023
E.H

Të paktën 35 njerëz u vranë nga sulmet izraelite në Gazën qendrore to dielën, thanë zyrtarë të spitalit, ndërsa ushtria izraelite po sulmon disa zona të caktuara të Rripit të Gazës. Sulme vijnë një ditë pasi kryeministri Neanyahu tha se lufta kundër Hamasit do të vazhdonte “për shumë muaj të tjerë”, duke u rezistuar thirrjeve ndërkombëtare për armëpushim.

Ushtria izraelite tha se forcat e saj po kryenin një operacion në Khan Younis, qyteti i dytë më i madh i Rripit të Gazës dhe banorët e tij kanë njoftuar për sulme izraelite në pjesën qendrore të qytetit, që është bërë epiqendër e re e luftës kundër militantëve të Hamasit.

Intensifikimi i luftës ka rritur frikën e përhapjes së saj në rajon. Ushtria amerikane tha të dielën se kishte rrëzuar dy raketa balistike të grupit Houthi nga Jemeni, të cilat kishin në shënjestër një anije mallrash në Detin e Kuq.

Disa orë më vonë, katër anije me persona të armatosur u përpoqën të sulmonin të njëjtën anije mallrash, por forcat amerikane hapën zjarr ndaj tyre, duke vrarë disa persona të armatosur, tha komanda qendrore e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara.

Izraeli thotë se do të shkatërrojë aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit në Rripin e Gazës, që janë përdorur për të organizuar sulmin e 7 tetorit në Izrael, në të cilin u vranë 1200 njerëz dhe u rrëmbyen 240 të tjerë.

Sipas ministrisë së shëndetësisë në Rripin e Gazës, e cila kontrollohet nga Hamasi, në ofensivën e pashembullt ajrore dhe tokësore të Izraelit janë vrarë mbi 21600 palestinezë dhe janë plagosur mbi 55 mijë të tjerë.

Zyrtarët e OKB-së thonë se lufta ka shkaktuar një krizë humanitare në Rripin e Gazës, ku një e katërta e popullsisë po përballet me mungesa të ushqimore. Bombardimet e Izraelit kanë rrafshuar zona të mëdha të Gazës, duke i bërë ato të pabanueshme.

Lufta ka detyruar largimin e rreth 85 për qind të banorëve të Gazës nga shtëpitë e tyre.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se Izraeli duhet të mbajë nën kontroll Rripin e Gazës për një periudhë të pacaktuar, pa dhënë shpjegime mbi atë se çfarë duhet të ndodhë më pas.

Në një konferencë shtypi të shtunën, në të cilën ai tha se lufta kundër Hamasit do të vazhdonte “për shumë muaj të tjerë”, ai përsëriti synimin e tij për një prani ushtarake të Izraelit në kufirin mes Egjiptit dhe Rripit të Gazës, por Egjipti ka të ngjarë të kundërshtojë praninë ushtarake të Izraelit atje.

Në komentet publike mbi planet e Izraelit për të ardhmen e Rripit të Gazës, kryeministri Netanyahu ka thënë gjithashtu se ai nuk do të lejonte një qeverisje të këtij territori nga Autoritetit Palestinez, me mbështetje ndërkombëtare.

Ky është në kundërshtim me qëndrimin e administratës Biden lidhur me qeverisjen e Gazës pas mbarimit të luftës. Shtetet e Bashkuara mbështesin idenë e një qeverie të bashkuar palestineze që do të drejtonte Gazën dhe Bregun Perëndimore dhe që do t’i paraprinte krijimit të një shteti palestinez.

Izraelitët, të cilët kryesisht mbështesin luftën, kanë filluar të tregojnë shenja të humbjes së durimit.

Të shtunën në mbrëmje, mijëra njerëz protestuan kundër Netanyahut, një nga protestat më të mëdha kundër kryeministrit izraelit që nga fillimi i luftës kundër Hamasit. Vendi, i cili është i ndarë mbi planin e Netayahut për reforma në sistemin e drejtësisë, ka qenë kryesisht i bashkuar rreth luftës kundër Hamasit.

“Është e vërtetë se Izraeli ka shumë armiq dhe kërcënime, por fatkeqësisht kryeministri Netanyahu dhe qëndrimi i tij në pushtet sot është kërcënimi më i madh ekzistencial për vendin dhe shoqërinë tonë”, tha protestuesi Gal Tzur.

Në një protestë tjetër po të shtunën, pjesëmarrësit bënë thirrje për lirimin e 129 pengjeve, që ende po mbahen nga Hamasi. Familjet e pengjeve dhe mbështetësit e tyre kanë kërkuar që qeveria ta ketë përparësi kryesore lirimin e pengjeve dhe kanë organizuar protesta të mëdha çdo fundjavë.

Egjipti, një nga ndërmjetësit në negociatat mes Izraelit dhe Hamasit, ka propozuar një plan me shumë faza, që do të përfshinte lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë dhe fillimin e një armëpushimi, të ngjashëm me marrëveshjen një javore të nëntorit.

Por, të dyja palët janë ende larg arritjes së një marrëveshjeje të re. Udhëheqësi i grupit militant palestinez Xhihadi Islamik, që po mban pengje izraelite, tha të dielën se nuk do të ketë shkëmbime me Izraelin para se lufta të përfundojë dhe Izraeli të tërheqë trupat e tij nga Rripi i Gazës, duke i bërë jehonë qëndrimit të Hamasit./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme