Personat që u shpëtuan nga një gomone që po fundosej në Detin Mesdhe kanë njoftuar se rreth 60 vetë që ishin nisur nga Libia, së bashku me ta një javë më parë, vdiqën gjatë udhëtimit, njoftoi të enjten grupi humanitar i shpëtimit SOS Mediterranee.
Anija Ocean Viking e organizatës bamirëse europiane pikasi gomonen me 25 persona në bord të mërkurën.
Dy prej tyre ishin në gjendje të pavetëdijshme dhe u evakuuan me helikopterë nga Roja Bregdetare Italiane për kujdes mjekësor. 23 personat e tjerë ishin në gjendje të rëndë, të lodhur dhe të dehidratuar.
Zëdhënësi i organizatës SOS Mediterranee Francesco Creazzo tha se të mbijetuarit janë të gjithë meshkuj, 12 prej tyre minorenë .
Ata janë nga Senegali, Mali dhe Gambia.
Zoti Creazzo tha se të mbijetuarit ishin të traumatizuar dhe nuk ishin në gjendje të kujtonin qartësisht se çfarë kishte ndodhur gjatë udhëtimit.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin thotë se 227 persona kanë vdekur në rrugën e rrezikshme në Mesdheun Qendror nga fillimi i vitit deri në 11 mars, pa përfshirë në këtë bilanc, njoftimet e fundit për personat që rezultojnë të humbur apo mendohet të jenë të vdekur.
Në total 279 persona kanë humbur jetën në Mesdhe që prej 1 janarit.
19, 562 persona kanë shkuar në Itali duke përdorur këtë rrugë përgjatë së njëjtës periudhe.
Të mërkurën gjatë natës, anija Ocean Viking shpëtoi 113 persona të bllokuar në ujrat ndërkombëtare./voa/
Kasanof takim me Ramën: Mbështetje Shqipërisë për çështje ky...
Nëntë filma të shfaqur në DokuFest në listë të gjatë për Çmi...
Sinani thotë se autoritetet serbe ia ndaluan ministrit Çeku ...
Për çfarë arsye do ndahej Lela nga Leo?
Polonia regjistron më shumë migrantë në kufi me Bjellorusinë
Sot nis Fest 63 – Për 4 net, 30 artistë në garë