Me largimin e flakëve, niveli i shkatërrimit shfaqet para syve i plotë: shumica e Matit, resorta e bukur bregdetare, e kthyer në epiqendrën e zjarreve më të rënda pyjore të Greqisë prej më shumë se një dekade, nuk është më.
Ferri i flakëve e ka shndërruar në vend të pajetë me rrugët e mbushura nga hiri e ndërtesa të rrënuara e të nxira, dëshmi e tmerrit që përjetoi komuniteti i atjeshëm pasditen e së hënës. Erërat e fuqishme ndihmuan flakët të avanconin deri në atë pikë sa “muri i zjarrtë” të rrethonte fshatin pa i lënë njerëzve rrugë shpëtimi.
81 është bilanci i vdekjeve, por me skuadrat që po shkojnë derë më derë në kërkim të trupave, nuk është çudi që ai të rritet akoma më shumë. Ai që shumë shpresuan të kthehej në rrugën e shpëtimit nga flakët dhe tymi, në fakt u kthye në rrugë vdekjeje: shumë trupa të pajetë u gjetën në plazhe e disa edhe në ujë.
Përpara se të pllakoste fatkeqësia, thotë i mbijetuari Nikos Stavrinidis, u dëgjua një zhurmë e fortë, si gjëmim alarmi. Gjithçka ndodhi shumë shpejt, vazhdon ai. Zjarri ishte larg, por shkëndijat e tij mbërritën tek ne duke i vënë flakën gjithçkaje përreth.
Era uturinte; ishte një gjë e papërshkrueshme. Njerëzit janë në gjendje shoku, thotë kryetari i komunës, Aris Bouranis, s’e kanë kuptuar akoma realitetin. Ka të vdekur gjithandej, gjithandej. Të martën, trupat e djegur të 26 burrave, grave dhe fëmijëve u gjetën në një ngastër të hapur në Poseidonos, thuajse të gjithë të përqafuar me njëri-tjetrin.
Mes tyre, nëna që mbronin fëmijët, veprimi i fundit që bënë përpara se flakët t’i rrethonin. Duke djegur gjurmët e tyre, ekipet e shpëtimit besojnë se ata janë drejtuar andej me bindjen se ajo zona ishte afër detit, por shumë shpejt kanë parë se ishte një rrëpirë, e nuk zbrisnin dot në det.
Autoritetet kanë nisur detyrën e vështirë të identifikimit të viktimave, në mesin e të cilëve është edhe një shqiptare, Nica Leka, me origjinë nga Leshnica e Sarandës, e martuar me një shtetas grek. Edhe dy fëmijë shqiptarë janë të shtruar në spitalin pediatrik Agia Sofia, por gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.
Lavrov krahason Kosovën me Ukrainën, kritikon OKB-në
Vullneti në rolin e gazetarit, merr në pyetje Atillën
Apeli vërteton aktgjykimin lirues për Sylejman Selimin dhe J...
Xabi Alonso kthehet në Anfield si kundërshtar
Pensilvania, historia e shtetit që vendos përherë fatet e Am...
Policia zvicerane kap 15 trafikantë droge në Verbier