Nga: Christopher R. Hill
Fushata presidenciale në Shtetet e Bashkuara, sakaq e gjatë dhe e trazuar, pa dyshim do të bëhet edhe më e trazuar në muajt e ardhshëm, ndërsa të dy kandidatët e partive, aktualisht zyrtarisht të zgjedhur, do të përballen para zgjedhjeve të nëntorit. Por votuesit do të kenë një zgjedhje të qartë përballë vetes, veçanërisht në lidhje me politikën e jashtme.
Kandidatja e Partisë Demokratike, Hillary Clinton, ka premtuar vijimësi. Një administratë e Clinton do të mbetet një partner me vullnet ndaj miqve dhe aleatëve të Amerikës, dhe do ta bëjë të qartë për kundërshtarët e Amerikës se parimet e përgjithshme të politikës së jashtme të këtij vendi nuk do të ndryshojnë. Politika aktuale e SHBA-së, me rrënjë në fuqinë dhe e udhëhequr nga pragmatizmi, ka qenë në përgjithësi e suksesshme në sigurimin e paqes dhe stabilitetit për shumë dekada.
Një vizion shumë i ndryshëm është shfaqur në anën republikane, me nominimin e Donald Trump. Dhe megjithatë kandidati është një çështje e rëndësisë së dorës së dytë – një simptomë e transformimit të shpejtë të Partisë së Vjetër të Madhe, e cila ka ofruar një spektakël marramendës për amerikanët dhe për të huajt.
Estabilishmenti i republikanëve e kaloi sezonin e zgjedhjeve primare duke pickuar veten, duke pyetur se si ndodhi që një kandidat si Trump triumfoi. Për shembull, në mars 2016, qindra këshilltarë republikanë, që përfaqësonin një spektër të gjerë këndvështrimesh mbi politikën e jashtme, firmosën një letër të hapur duke shprehur shqetësimin dhe kundërshtinë e tyre ndaj Trump. Ndërsa disa nga këto këshlltarë mund të shkojnë ta mbështesin këtë vjeshtë, pasi të jenë “siguruar” për angazhimin e tij ndaj mendimeve të tyre, shumica nuk do ta mbështesin.
Partia e Vjetër Madhe ka prodhuar një kandidat për president me mendim kaq të zymtë mbi perspektivën e Amerikës sa ai mendon se vendi ka rënë në një humnerë nga e cila mund të mos dalë kurrë. Ndërsa shumica e botës sheh nga SHBA-të për udhëheqësi ndërkombëtare të mençur, Konventa Kombëtare Republikane në Klivelend ku Trump u nominua formalisht, projektoi asgjë tjetër veç frikë dhe urrejtje.
Një nga elementët më goditës së fjalimit të Trump në konventë qe sulmi i tij ndaj administratës së fundit republikane. Ai e cilësoi George W. Bush si pjesëmarrës në një komplot të përbashkët me Hillary Clinton në ngatërresa të ndryshme të huaja, të tilla si luftë, e, akoma më keq, marrëveshje tregtie.
Përgjatë të gjithë fjalimit të tij, gjithsesi, Trump nuk dha ndonjë koment për pjesën tjetër të trashëgimisë 162 vjeçare të republikanëve. Abraham Lincoln? Harrojeni. Gjenerali Dwight D. Eisenhower, një hero lufte dhe presidenti që ndërtoi sistemin e autostratave ndërshtetërore për të cilin Trump na thotë ne se është aktualisht gjysmë i shkatërruar? Nuk kam dëgjuar kurrë për të. Dhe delegatët duket se nuk kishin problem me këto harresa dhe bërtisnin në mënyrë miratuese ndaj çdo komenti agresiv dhe paralajmërimi apokaliptik.
Shumë pak njerëz e morën seriozisht Trump, një yll emisionesh televizive që nuk ka mbajtur kurrë një post publik, deri sa ai filloi të fitojë primaret. Tashmë ai është kreu informal i Partisë Republikane dhe flamurmbajtësi për president i kësaj partie. Si ndodhi kjo?
Ronald Reagan, shenjtori padron i ditëve tona të Partisë së Vjetër të Madhe, tha një herë se qeveria është problemi dhe jo zgjidhja, një diktat që ka mishëruar shpirtin anti-qeveri i cili qe tipari që ka përcaktuar partinë që nga ajo kohë. Tashmë rezulton shumë ironike që çdo republikan që garon për një zyrë do të pëlqejë më shumë të zhbëjë qeverinë se sa të shërbejë në qeverisje. Nuk ka habi pra që votuesit republikanë zgjidhën për kandidat një person që nuk ka shërbyer kurrë në qeverisje.
Mbrojtja kombëtare ka qenë përjashtimi i vetëm i këtij këndvështrimi anti-qeveritar. Por edhe në këtë çështje, Partia e Madhe e Vjetër ka ndryshuar. Trump ka indikuar se ai do të shkelë detyrimet e Amerikës ndaj NATO-s, do të injorojë institucionet e qeverisjes botërore dhe të dhe të trajtojë bisedimet me vendet e tjera si ceremoni dorëzimi ndaj qëndrimeve të SHBA-së, më shumë se sa si bisedime dypalëshe.
Dhe megjithatë, nëse estabilishmenti i politikës së jashtme të republikanëve dëshiron të kuptojë se nga erdhi një kandidat si Trump, ata do të bëjnë mirë të shohin sjelljen e disave prej atyre vetë. Të tillë si Max Boot, i cili shpesh bëri thirrje për përdorim të njëanshëm të forcës në zonat e nxehta të botës, i hapi rrugën atij, edhe pse sot nuk e mbështet. Dhe të tjerë e kanë ndihmuar atë gjatë fushatës së tij si luftë pa rregulla, ndërsa ai i ktheu mosmarrëveshjet mbi politikat civile në sulme personale.
Sipas sondazhuesve dhe ekspertëve, Trump ka shumë gjasa që do të humbasë në nëntor. Nëse gjatë tetë viteve të fundit, republikanët nuk ia dolën të rregullojnë partinë e tyre, ndoshta katër apo tetë të tjera do të mjaftojnë. Dikush duhet të shpresojë se ata do t’ia dalin. Demokracia amerikane – dhe politika e jashtme e SHBA-ve – ka nevojë për së paku dy parti të mëdha, jo një parti të madhe dhe një tjetër të vogël e në periferi.
/Project Syndicate/reporter.al/
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...