Të dielën po mbahen zgjedhjet presidenciale në Tunizi

10:03 | 15 Shtator 2019
L G

Tunizia po i mban të dielën zgjedhjet presidenciale. Këto janë zgjedhjet e dyta të lira pas kryengritjeve të famshme të vitit 2011, kur ishte rrëzuar nga pushteti ish-presidenti Ben Ali dhe kur kishte nisur e ashtuquajtura “Pranverë Arabe”.

Këto zgjedhje ishin planifikuar të mbaheshin në nëntor, por data e tyre u ndryshua pas vdekjes në muajin korrik të presidentit të parë tunizian të zgjedhur në mënyrë demokratike, Beji Caid Essebsi. Ai shërbente në këtë pozitë nga viti 2014.

Në garën për kreun e këtij shteti të Afrikës Veriore po marrin pjesë 26 kandidatë. Në mesin e tyre janë 24 burra dhe dy gra.

Këto zgjedhje po vlerësohen si test i rëndësishëm për njërën nga demokracitë më të reja në botë.

Essebsi i kishte fituar zgjedhjet e para të lira në vitin 2014 dhe ishte bërë i njohur për ruajtjen e stabilitetit të vendit gjatë mandatit që i zgjati gati pesë vjet.

Ai ishte 92 vjeç, duke u bërë presidenti më i vjetër i një shteti në botë në kohën e vdekjes. Essebsi më parë kishte deklaruar se nuk do të garojë në zgjedhje për të kërkuar mandat të ri.

Tash për tash, kryetari i kuvendit, Mohamed Ennaceur, është duke shërbyer si president i përkohshëm.

Për t’i fituar zgjedhjet, kandidatët duhet t’i fitojnë mbi 50 për qind të votave. Nëse asnjëri nga kandidatët nuk e arrin këtë prag, dy kandidatët me më së shumti vota garojnë në balotazh, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme