Talibanët sulmuan bazën në provicën Maidan Vardak

17:15 | 22 Janar 2019
Arbresh.info

“Kemi nxjerrë reth 65 trupa nga rrënojat”, tha sot Mohammad Sardar Bakhyari, nënkryetar i këshillit provincial.

Khawanin Sultani, anëtar i këshillit të provincës, tha se sulmi la të plagosur edhe mbi 70 vetë të tjerë.

Sulmi ndodhi vetëm disa orë pasi talibanët njoftuan se kanë rinisur bisedimet për paqe me zyrtarët amerikanë.

Ai nisi kur një sulmues vetëvrasës shpërtheu një makinë të mbushur me eksplozivë, ndërsa më pas tre persona të armatosur sulmuan kompleksin, duke hapur zjarr kundër forcave afgane të sigurisë, thanë zyrtarët.

Të tre personat e armatosur u tha se janë vrarë.

Një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes në Kabul u citua të ketë thënë se në bazën e sulmuar ushtarake ndodhej një qendër trajnimi e Drejtorisë Kombëtare të Sigurisë, që është agjencia kryesore e inteligjencës në Afganistan.

Sipas raporteve të disa mediave, së paku 126 njerëz janë vrarë në sulm.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, tha se grupi i tij qëndron prapa sulmit.

Dhuna vjen me gjithë përpjekjet e shtuara të Shteteve të Bashkuara për të negociuar fundin e luftës 17-vjeçare në Afganistan.

Duke cituar burime të afërta me negociatat, agjencia e lajmeve Reuters tha se anëtarë të zyrës politike të talibanëve në Katar janë takuar me Zalmay Khalilzad, të dërguarin amerikan për paqe në Afganistan.

“Bisedimet midis udhëheqësve talibanë dhe zyrtarëve amerikanë kanë nisur të hënën në Katar”, tha përmes një deklarate zëdhënësi i talibanëve, Zabiullah Mujahid, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Khalilzad ka përfunduar një vizitë në Pakistan më 20 janar, pas takimit me kryeministrin e këtij vendi, Imran Khan.

Talibanët refuzojnë të mbajnë bisedime të drejtpërdrejta me zyrtarët afganë, duke thënë se armik i tyre në radhë të parë është Amerika.

Talibanët kanë mbajtur pushtetin në Afganistan nga viti 1996 deri më 2001, kur kanë ndërhyrë trupat e huaja, të udhëhequra nga SHBA-ja.

Fuqia e tyre është rritur sërish pasi trupat e huaja luftarake janë larguar nga Afganistani në vitin 2014.

Vitin e kaluar, presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, ka thënë se mbi 28,000 ushtarë dhe policë afganë janë vrarë qysh në vitin 2015.

 

Të ngjashme