Talibanët paralajmërojnë sulme të reja në Kabul

14:59 | 21 Maj 2018
Arbresh.info

Talibanët iu kërkuan banorëve të Kabulit të qëndrojnë larg “qendrave ushtarake”, duke paralajmëruar se do të kryejnë sulme të reja në kryeqytetin afgan.

Në një deklaratë online, militantët thanë se sulmet e ardhshme mbi “qendrat e inteligjencës dhe ushtrisë së armikut” do të jenë pjesë e ofensivës pranverore.

“Me qëllim që të shmangen viktimat civile dhe t’i shkaktohen dëme vetëm ushtrisë së armikut, u kërkojmë banorëve të Kabulit të qëndrojnë larg. Ne nuk duam që të vritet asnjë civil i pafajshëm”, thuhet në deklaratën e talibanëve.

Ajo nuk qartëson se çfarë saktësisht nënkuptojnë “qendrat e ushtrisë dhe të inteligjencës”.

Talibanët i kanë intensifikuar sulmet duke kundërshtuar dukshëm thirrjet për ta që të pranojnë ofertën e Qeverisë afgane për bisedimet e paqes.

Talibanët dhe grupi ekstremist Shteti Islamik kanë kryer një seri sulmesh masive në Kabul gjatë muajve të fundit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme