Google ADS

Talibanët i trajtojnë në burgje të varurit nga droga

18:42 | 9 Prill 2022
Lorik Gerbeshi

Një nga lëvizjet e para të talibanëve, pasi kanë marrë pushtetin në Afganistan në gusht të vitit të kaluar, ka qenë ndërmarrja e masave ekstreme për trajtimin e epidemisë së drogës.

Mijëra të varur nga lëndët narkotike janë rrahur dhe dërguar në burg, në qelitë e të dënuarve për krime të rënda.

Por, Dawoodi, një i varur nga droga, i cili është arrestuar bashkë me qindra të tjerë në provincën jugperëndimore Farah, thotë se metodat e ashpra që ka përdorur burgu, nuk kanë qenë të efektshme.

Ai është liruar para dy muajve, por thotë se pak javë pas lirimit, ka nisur sërish të marrë drogë, raporton rel.

“Kam dhjetë vjet që vuaj nga kjo sëmundje. Qeveria e talibanëve më ka dërguar në burg, por trajtimi nuk ka funksionuar”, ka thënë ai për Shërbimin e Afganistanit të Radios Evropa e Lirë.

“Dua të shkoj në një qendër rehabilitimi, sepse aty ofrojnë trajtim më të mirë”, është shprehur ai.

Në Afganistan jetojnë rreth 3.5 milionë njerëz të varur nga droga. Kjo shifër përbën gati 10 për qind të popullsisë.

Atje ka pasur rreth 100 qendra trajtimi përpara se talibanët – grup islamik i linjës së ashpër – të ktheheshin në pushtet në muajin gusht, por shumë prej tyre, që janë varur nga financimi i huaj, janë mbyllur ose mezi mbeten të hapura.

Drogat kryesore që përdoren në Afganistan, janë opioidet që dalin nga lulëkuqet e opiumit. Këto lule vazhdimisht kultivohen, pavarësisht përpjekjeve për t’i çrrënjosur dhe për të mbjellë kultura alternative.

Por, përveç heroinës dhe morfinës, një numër në rritje i afganëve tani janë të lidhur edhe me atë që njihet si met kristal. Tregtarët e drogës kanë mësuar ta prodhojnë atë nga bima efedra që rritet në male.

Talibanët kanë ndaluar kultivimin e opiumit në vitet 2000-2001, para se të rrëzoheshin nga pushteti, si pasojë e pushtimit të huaj.

Por, gjatë dy dekadave të ardhshme të luftës, grupi ekstremist është akuzuar për financimin e kryengritjes së tij me të ardhurat nga prodhimi i opiumit.

Sot, Afganistani njihet si prodhuesi kryesor në botë i opiumit, duke gjeneruar deri në 2.7 miliardë dollarë në vitin 2021.

Në konferencën e parë për media në muajin gusht, zëdhënësi i talibanëve, Zabiullah Mujahid, është zotuar se grupi do të ndalojë përsëri kultivimin dhe trafikimin e lulëkuqes.

Muaj më vonë, ai është tërhequr, duke thënë se ndalesa do t’i privonte afganët nga një burim i madh i të ardhurave.

Megjithatë, më 3 prill, Mujahid ka publikuar një dekret të ri nga udhëheqësi suprem i talibanëve, Mullah Haibatullah Akhundzada, i cili e ndalon kultivimin e opiumit dhe prodhimin e drogës. Dekreti urdhëron, gjithashtu, shkatërrimin e të korrave të opiumit dhe ndalon tregtinë dhe transportin e disa drogave.

Viti i kaluar, sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, ka shënuar vitin e pestë radhazi, gjatë të cilit korrja e opiumit në Afganistan ka tejkaluar 6,000 tonë – mjaftueshëm për të vërshuar tregun botëror me deri në 320 tonë heroinë të pastër dhe për të furnizuar 80 për qind të përdoruesve të opiumit në botë.

Pasi trupat e huaja janë tërhequr nga Afganistani dhe talibanët kanë rrëzuar Qeverinë afgane, të mbështetur nga Perëndimi, militantët kanë nisur me shpejtësi të trajtojnë krizën e varësisë nga opiumi, në krijimin e së cilës kanë kontribuar vetë.

Luftëtarët talibanë kanë filluar të grumbullojnë një numër të madh të të varurve në rrugët e Kabulit, Kandaharit dhe qyteteve të tjera afgane, duke përdorur shpesh kamxhikun dhe tytën e armës për t’i detyruar ata t’i nënshtrohen rehabilitimit.

Disa janë dërguar me forcë në klinika të mbipopulluara, që shpesh ngjasojnë me burgjet. Të tjerët janë dërguar në burgjet që janë pastruar nga luftëtarët talibanë, të cilët kanë qenë të burgosur nga qeveria e mëparshme.

Pasi të burgosen, të varurit i nënshtrohen rehabilitimit të detyruar pa ndihmën e këshillimit apo metadonit – një drogë që përdoret zakonisht për të lehtësuar dhimbjen e të varurve, pasi të shkëputen nga heroina.

Zyrtarët në burgun e provincës Farah, ku ka qenë edhe Dawoodi, pretendojnë se kanë trajtuar me sukses më shumë se 2,000 të varur, në shtatë muajt e fundit.

Drejtori i objektit, Mullah Lal Mohammad Zakeri, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se burgimi është më i mirë për të varurit nga droga sesa klinikat e rehabilitimit. Pasi të lirohen prej qëndrimit nga dy deri në gjashtë muaj, ai ka thënë se pacientët e rehabilituar duhet të nënshkruajnë një zotim se do të qëndrojnë larg drogës.

Salem Sadid, një psikolog lokal në provincën Farah, nuk pajtohet se detyrimi është mënyra më e mirë.

“Ka dallime të mëdha midis trajtimit të të varurve nga droga në burgje dhe në qendra të trajtimit të varësisë”, ka thënë Sadid.

“Nëse pacientët mendojnë se po detyrohen ta lënë varësinë, ata kurrë nuk do ta pranojnë trajtimin”.

“Askush nuk mund ta lërë drogën nëse nuk është gati”, ka thënë Sadid, duke shtuar se pacientët duhet të jenë të përgatitur psikologjikisht.

Hamed Elmi, një mjek që drejton një qendër rehabilitimi me 100 shtretër në Farah, u ka bërë jehonë komenteve të Sadidit. Trajtimi i të varurve në burg nuk është praktik dhe as efektiv, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

“Në burg nuk ka këshillim. Një person i varur ka nevojë për këshillim dhe kjo është arsyeja përse ai përfundon [duke u trajtuar] në burg për një kohë të gjatë”, ka thënë Elmi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme