Talibanët edhe në një rreth bisedimesh me SHBA-në

12:35 | 8 Janar 2019
Arbresh.info

Përfaqësues të talibanëve afganë thanë se do të takojnë zyrtarët amerikanë në Katar për të zhvilluar bisedime për paqe.

Ata thanë se bisedimet dyditëshe do të nisin më 9 janar dhe refuzuan të takojnë, siç u shprehën, zyrtarët “kukulla” të Afganistanit.

Talibanët i kanë refuzuar kërkesat e fuqive rajonale për t’i lejuar zyrtarët e Qeverisë afgane që të marrin pjesë në bisedime, duke thënë se SHBA-ja është kundërshtari i tyre kryesor në Afganistan.

“Këtë herë, duam të mbajmë bisedime me zyrtarët amerikanë”, tha një udhëheqës i talibanëve në Afganistan për agjencinë Reuters.

Ai tha se bisedimet në Doha do të përqendrohen në thirrjet e grupit militant për tërheqjen e forcave amerikane nga Afganistani, në shkëmbimin e të burgosurve dhe në heqjen e ndalesës së lëvizjes për figurat e larta talibane.

Bisedimet do të jenë rrethi i katërt midis liderëve talibanë dhe të dërguarit të posaçëm amerikan, Zalmay Khalilzad.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme