Google ADS

Talebanët konfirmojnë zhvillimin e bisedimeve me SHBA’në

00:08 | 6 Janar 2019
Trina Galanxhi

Talebanët njoftuan se vazhdon angazhimi i tyre me Shtetet e Bashkuara për të negociuar dhënien fund të një “lufte dhe pushtimi të paligjshëm” të Afganistanit, duke përjashtuar kështu çfarëdolloj bisedimesh të drejtpërdrejta me qeverinë në Kabul.

Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, i tha Zërit të Amerikës se po shqyrtohet opsioni i një raundi të ri bisedimesh me Shtetet e Bashkuara, por se nuk janë përcaktuar ende data dhe vendndodhja.

Ai foli në reagim të njoftimeve, të cilat i qujati “pretendime false”, se negociatorët e palës rebele synojnë të zhvillojnë këtë muaj në Arabinë Saudite bisedime të drejtpërdrejta me zyrtarët afganë.

Përfaqësuesi special amerikan për Afganistanin, Zalmay Khalilzad, zhvilloi dy raunde maratonë bisedimesh në muajin dhjetor me një delegacion të lartë talebanësh në Abu Dhabi, ku ishin të pranishëm edhe të dërguarit e Arabisë Saudite, Pakistanit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Zëdhënësi taleban u shpreh me optimizëm në mediat sociale për rezultatet e negociatave me palën amerikane.

Siç është njoftuar, Presidenti Donald Trump është duke shqyrtuar opsionet për reduktimin e ndjeshëm të mbi 14 mijë ushtarakëve amerikanë që shërbejnë në Afganistan. Këto njoftime shqetësuan zyrtarët në Kabul dhe kritikët ndërkombëtarë, të cilët thonë se një tërheqje amerikane nuk do t’i linte arsye talebanëve për të ndalur luftimet dhe për të kërkuar një zgjidhje të negociuar të luftës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme