Talebanët do të lirojnë 20 të burgosur të qeverisë afgane

12:19 | 12 Prill 2020
Arbresh.info

Pavarësisht se u tërhoqën nga bisedimet teknike me qeverinë afgane për shkak mosmarrëveshjeve për shkëmbimin e të burgosurve, militantët talebanë njoftuan lirimin e 20 të burgosurve qeveritarë gjatë ditës së sotme, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Sot, 20 të burgosur të administratës së Kabulit do të lirohen nga Emirati Islamik i Afganistanit (Talebanët) dhe do t’i dorëzohen Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Kandahar”, shkroi në Twitter zëdhënësi i Talebanëve nga zyra e Katarit, Suhail Shaheen.

Në pikën problematike të mosmarrëveshjes për shkëmbimin e të burgosurve, ky është një hap drejt vazhdimit të bisedimeve brenda-afgane të paqes, pasi qeveria afgane njoftoi gjithashtu se do të lirojë 100 të burgosur të tjerë talebanë të dielën në përputhje me marrëveshjen e paqes midis militantëve dhe SHBA-së.

Me këtë, numri i përgjithshëm i të burgosurve talebanë të liruar nga qeveria afgane arrin në 300.

Procesi i paqes i Afganistanit i rinovuar por i brishtë, përballet me bllokime, ndërsa vazhdojnë ndarjet midis Kabulit dhe talebanëve rreth propozimit për shkëmbimin e të burgosurve, fillimin e bisedimeve brenda-afgane dhe armëpushimin pasues.

Sipas burimeve zyrtare në burgje të ndryshme, në gjithë Afganistanin ndodhen nga 12.000 deri 15.000 të burgosur, përfshirë të huaj nga Pakistani, Azia Qendrore dhe vendet e Gjirit.

Talebanët kanë kërkuar lirimin e 5.000 militantëve të tyre në këmbim të lirimit të 1.000 robërve, përfshirë zyrtarë të qeverisë afgane dhe personel të sigurisë.

Qeveria afgane, megjithatë, këmbëngul për lirimin e tyre në faza, së bashku me bisedimet brenda-afgane dhe armëpushimin në vend.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme