Takohen Erdoğan-Putin, flasin për Sirinë

20:30 | 27 Gusht 2019
Arbresh.info

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan theksoi se është e papranueshme vrasja e civilëve nga regjimi i Bashar Al-Asadit në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan pas takimit të tij kokë me kokë me homologun rus Vladimir Putin, dhe delegacioneve të të dyja vendeve, zhvilloi një konferencë të përbashkët për media.

Ai njoftoi se që nga muaji maji nga sulmet e regjimit në Idlib kanë humbur jetën mbi 500 njerëz të pafajshëm, ndërsa janë plagosur mbi 1.200 civilë.

“Është e papranueshme që regjimi të vrasë civilët nga toka dhe ajri nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit”, theksoi presidenti turk duke folur për sulmet e regjimit në Idlib.

Ai tha se përgjegjësitë që burojnë nga Marrëveshja e Soçit mund të përmbushen vetëm nëse u jepet fund sulmeve të regjimit. “(Sulmet e regjimit) Na kanë shtyrë të mbrohemi, veçanërisht përgjatë kufijve tanë dhe të ndërmarrim hapat e nevojshëm në situata të nevojshme”, u shpreh Erdoğan.

“Qëllimi ynë është të ndalojmë gjakderdhjen dhe të arrijmë atmosferë të paqes që fqinji ynë Siria e ka dëshiruar për 8 vjet”, tha më tutje presidenti turk.

Erdoğan theksoi se dëshirojnë që organizata terroriste në Munbixh të braktisë rajonin në drejtim të qyteti Kobani dhe në drejtim të lindjes, duke kërkuar që të mbahet fjala e dhënë për zonën e sigurt.

“Përderisa vazhdojnë provokimet nuk është e mundshme që të qëndrojmë duar lidhur. Të gjitha përgatitjet tona në kufij janë për këtë”, theksoi ai.

“Ne dëshirojmë të vazhdojmë solidaritetin tonë në shumë fusha të industrisë së mbrojtjes. Kjo mund të bëhet në avionët e pasagjerëve dhe ato luftarakë. E gjithë çështja është fryma e solidaritetit”, tha gjithashtu Erdoğan.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme