Takimi Trump-Kim Jong-un, zyrtari i lartë i Veriut viziton Amerikën

23:13 | 29 Maj 2018
Trina Galanxhi

Një prej zyrtarëve më të lartë të regjimit të Kim Jong-unit në Korenë e Veriut thuhet se po udhëton drejt Shteteve të Bashkuara, mes raportimeve për përgatitjen e takimit mes kreut të shtetit komunist dhe presidentit amerikan, Donald Trump.

Agjencia koreano-jugore e lajmeve “Jonhap” bëri të ditur se, gjenerali Kim Yong-chol pritet të mbërrijë në SHBA të mërkurën, pasi të zhvillojë bisedime me udhëheqës kinezë në Pekin.

Vizita e zyrtarit të lartë të Penianit konsiderohet si një sinjal tjetër se, takimi mes dy udhëheqësve do të mbahet. Pak ditë më parë, kreu i Shtëpisë së Bardhë e vuri në dyshim zhvillimin e takimit të planifikuar për në datën 12 qershor, në Singapor.

Por, që prej këtij momenti, palët po punojnë intensivisht për të mundësuar atë që do të ishte përballja e parë mes një udhëheqësi të Koresë së Veriut dhe një presidenti amerikan në detyrë.

Përfshirja e mundshme e gjeneralit në negociata do të ishte e rëndësishme, pasi do të sinjalizonte dëshirën e Koresë së Veriut për zhvillimin e bisedimeve.

Një figurë me shumë ndikim, Kim Yong-chol shihet shpesh në krah të udhëheqësit koreano-verior, ka marrë pjesë në takimet me udhëheqësit e Kinës dhe Koresë së Jugut, si dhe është takuar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në Penian.

Ai bëhet zyrtari i profilit më të lartë që viziton Shtetet e Bashkuara që prej vitit 2010./tch/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme