Donald Trump pranoi që të takohet me Kim Jong-un dhe gjasat janë që shtrëngimi i duarve të ndodhë më 12 qershor në një resort bregdetar të Singaporit.
Pasi u vendos për këtë samit, të dyja palët janë vënë në lëvizje për detajet e takimit, që nga pjesëmarrja, temat që do të shtrohen në tryezë, formatin e bisedimeve, deklaratat që do të bëhen apo dhe marrëveshjet që mund të nënshkruhen.
Por, në një temë amerikanët dhe koreano-veriorët kanë ngecur; kush do të paguajë faturën e hotelit për Kim Jong-un.
Washington Post shkruan se diktatori kryeneç, por “i varfër” kërkon që të rehatohet në hotelin “The Fullerton”, një ndërtesë neoklasike pranë Lumit të Singaporit, ku një suitë presidenciale kushton më shumë se 8 mijë dollarë në natë.
Përveç kësaj, Washington Post thotë se përfaqësuesit e Phenianit në grupin organizator të takimit e kanë bërë të qartë që nuk kanë ndërmend të paguajnë asnjë kacidhe për qëndrimin e Kim Jong-un dhe delegacionit që e shoqëron në këtë samit.
Duke cituar burime nga Shtëpia e Bardhë, Washington Post thotë se zyrtarët amerikanë janë vënë në lëvizje për të gjetur mënyrën sesi ta zgjidhin këtë problem logjistik dhe mes zgjidhjeve që po shqyrtohen është edhe mundësia e gjetjes së një rruge “sekrete” që SHBA t’i paguajë qëndrimin Kim Jong-un.
Por, amerikanët druhen se pagesa e drejtpërdrejtë mund të interpretohet si “ofendim” nga ana e Koresë së Veriut dhe për këtë po përpiqen që të gjejnë mundësinë që fatura të paguhet në emër të Singaporit./TCH