Tajvani njoftoi se do të zgjasë shërbimin e detyrueshëm ushtarak nga katër muaj në një vit, duke u thirrur nga kërcënimi që po paraqet Kina, që sipas Tajvanit, është gjithnjë e më armiqësore.
Pekini e konsideron Tajvanin si pjesë të tij që ka thënë se do ta marrë një ditë, edhe me forcë nëse është e nevojshme. Ky ishull vetëqeverisës përballet me frikë të vazhdueshme nga një pushtim kinez.
Viteve të fundit, Kina, nën udhëheqjen e presidentit Xi Jinping ka intensifikuar kërcënimin ndaj Tajvanit. Po ashtu, pushtimi rus i Ukrainës ka thelluar më shumë shqetësimet në Tajvan se Kina mund të ndërmarrë lëvizje të ngjashme dhe të aneksojë ishullin.
“Kërcënimet e Kinës kundër Tajvanit tani janë bërë më të qarta”, tha presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, gjatë një konference për media pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
“Askush nuk do luftë…. por, bashkëkombës të mi, paqja nuk do të bie nga qielli”, tha ajo.
“Shërbimi aktual ushtarak prej katër muajsh nuk është i mjaftueshëm, pasi ne po përballemi me një situatë që po ndryshon shpejt. Ne kemi vendosur që ta rikthejmë shërbimin ushtarak prej një viti duke filluar nga viti 2024”.
Tsai tha se ky vendim do të aplikohet ndaj personave që kanë lindur pas 1 janarit të vitit 2005.
Shërbimi i detyrueshëm ushtarak dikur ishte shumë jopopullor në Tajvan, dhe qeveritë e kaluara vendosën që ky shërbim nga një vit të bëhej në katër muaj.
Por, sondazhet e fundit tregojnë se mbi tre e katërta e të anketuarve tani besojnë se katër muaj shërbim ushtarak janë pak.
Tsai tha se vendimi për kohëzgjatjen e shërbimit ushtarak ishte “vendim jashtëzakonisht i vështirë… për të siguruar mënyrë demokratike të jetës për gjeneratat e ardhshme”.
“Ne mund të shmangin një luftë duke u përgatitur për një të tillë dhe ne mund të ndalim një luftë, vetëm nëse jemi të aftë të luftojmë”, theksoi ajo.
Tajvani dhe Kina janë ndarë në fund të Luftës Civile Kineze të vitit 1949 dhe presidentja Tsai tha se bashkimi me Kinën nuk është opsion i pranueshëm nga banorët e ishullit.
Njoftimi për kohëzgjatjen e shërbimit ushtarak në Tajvan erdhi dy ditë pasi ushtria kineze kreu stërvitje ushtarake pranë këtij ishulli. Pekini tha se stërvitjet ishin në përgjigje të “provokimeve” dhe “marrëveshjeve të fshehta” që sipas tij po bëjnë Tajpei dhe Uashingtoni./rel
Nëntë vite më parë Kushtetusja vendosi për Asociacionin
“Ke e diele, nuk u nejke”, arsyetimi qesharak i Gjestit pse ...
Mot i paqëndrueshëm në Shqipëri, vranësira dhe reshje shiu, ...
Një orë pritje për hyrje në Kosovë nga Dheu i Bardhë
Turqia ia zë vendin Iranit si forcë e huaj mbizotëruese në S...
Bernabeu iu përul legjendës: Një lamtumirë madhështore për d...