Google ADS

Tajvani, ndër më të suksesshmit në luftën kundër virusit

14:25 | 5 Prill 2020
Arbresh.info

Në 25 janar, teksa bota sapo kishte filluar të ndërgjegjësohej për rrezikun e mundshëm të sëmundjes që po përhapej me shpejtësi nga Kina, dy vende regjistruan katër infektime të reja në territoret e tyre.

Australia dhe Tajvani, kanë popullsi të ngjashme prej 24 milionë banorësh, janë që të dy ishuj, dhe që të dy mbajnë me lidhje të forta tregtare e transporti me Kinën. Dhjetë javë pas asaj date, Australia shënonte gati 5.000 raste të konfirmuara, Tajvani më pak se 400. Çështja nuk është ku veproi gabim Australia, thotë CNN, sepse 20 vende të botës kanë më shumë raste se ajo, por si e mbajti kaq mirë Tajvani nën kontroll virusin.

Gjatë shpërthimit të SARS-it në 2003-shin, ai u bë një prej vendeve më të prekura asokohe nga sëmundja. Mbi 150,000 vetë hynë në karantinë e 181 vdiqën. SARS-i tani duket i zbehtë sot krahasuar me COVID 19, por Tajvani kishte nxjerrë sakaq mësime nga ajo fatkeqësi. Sapo dolën lajmet e koronavirusit të ri në Wuhan, zyrtarët e qendrës kombëtare të komandës për shëndetësinë, lëvizën shpejt për t`iu kundërpërgjigjur rrezikut. Ndërsa vendet e tjera ende diskutonin nëse duheshin marrë masa apo jo, autoritetet e ishullit ndaluan menjëherë udhëtimin nga shumë pjesë të Kinës, bllokuan hyrjen e anijeve prej andej, e nisën prodhimin masiv të maskave.

Po kështu nisi testimi i gjere, duke përfshirë dhe ritestimin e personave që kishin pasur më herët një pneumoni të pashpjegueshme. Nga qeveria, pati një reagim të shpejtë dhe transparent ndaj krizës. Në fund të marsit, vendi kishte në karantinë ose vetë-izolim 46,000 vetë, por ndonëse këshillohet distancimi social, bllokimi atje nuk ka qenë aq i rreptë sa në shtete të tjera. Pavarësisht kësaj, Tajvani regjistron sot vetëm 5 vdekje nga koronavirusi. CNN thekson se si territor i pretenduar nga Kina, Tajvani nuk është anëtar i OBSH-së, e kjo mund ta ketë shtyrë të veprojë vetë e t’i marrë vendimet më shpejt dhe në mënyrë të pavarur nga udhëzimet e saj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme