Google ADS

Sunak: Nuk ka plane të afërta për dërgimin e trupave britanike në Ukrainë

16:02 | 1 Tetor 2023
E.G

Kryeministri i Britanisë, Rishi Sunak, tha të dielën se nuk ka plane të afërta për dërgimin në Kiev të personelit ushtarak për trajnimin e ushtarëve ukrainas.

Më herët, zyrtari më i lartë i mbrojtjes britanike ishte shprehur gjatë një interviste lidhur me synimet për stërvitjen në Ukrainë të forcave të Kievit nga ushtarë britanikë.

Deri më tani, Britania dhe aleatët e saj kanë shmangur praninë ushtarake në Ukrainë për të ulur rrezikun e një konflikti të drejpërdrejtë me Rusinë.

Ministri britanik i Mbrojtjes Grant Shapps, i cili u emërua në këtë detyrë muajin e kaluar, tha në një intervistë për gazetën “The Sunday Telegraph” se ai dëshironte që të dërgonte instruktorë ushtarakë në Ukrainë, si edhe trajnimin e forcave të armatosura ukrainase në Britani dhe vende të tjera perëndimore.

“Ajo që do donte të thoshte shefi i mbrojtjes ishte se në të ardhmen mund të jetë e mundur që ne të kryejmë stërvitjet në Ukrainë”, u tha zoti Sunak gazetarëve përpara konferencës vjetorë të Partisë Konservatore në pushtet, në Manchester.

“Por ky është një plan afatgjatë, jo këtu dhe jo tani. Nuk do të dërgohen ushtarë britanikë ndërsa konflikti vazhdon”, tha ai.

Ish-Presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev tha të dielën se ushtarët britanikë që stërvisin forcat e Kievit në Ukrainë do të ishin objektiv i ligjshëm për trupat ruse./voa

Të ngjashme