Kanë dalë në dritë disa detaje të reja në lidhje me sulmin terrorist në Nice, Francë.
21-vjeçari tunizian i cili akuzohet se ka përdorur një thikë kuzhine për të vrarë tre persona në një kishë në Nice foli me familjen e tij 12 orë para sulmit, duke mos dhënë asnjë shenjë se ai po mendonte për dhunë.
Brahim Aouissaoui u rrit mes tetë motrave dhe dy vëllezërve në një shtëpi modeste në një rrugë me gropa në Thina, një lagje e klasës punëtore në një zonë industriale afër Sfax, një port i madh në bregun lindor të Tunizisë.
Sfax është 130 km nga ishulli i vogël italian i Lampedusa dhe një pikë kyçe e nisjes për tunizianët që përpiqen të kalojnë në Europë.
Ai e braktisi shkollën përderisa ishte në shkollë të mesme dhe punoi si mekanik biçikletash përpara se të niste një biznes buzë rrugës duke shitur sasi të vogla benzine tek shoferët, thanë anëtarët e familjes, shkruan La Republica , transmeton portal arbresh.info
Autoritetet thanë se sjellja e dhunshme herë pas here e Aouissaoui dhe përdorimi i drogës e kishin sjellë atë në vëmendjen e policisë lokale.
“Ai piu alkool dhe konsumoi drogë. Unë i kam thënë atij mjaft se po harxhon para kot”, tha nëna e sulmuesit.
Ajo tha se djali i saj u përgjigj: “Nëse Zoti dëshiron, ai do të më drejtojë në rrugën e duhur, kjo është puna ime”.
Gjatë dy viteve të fundit, të afërmit kishin vënë re ndryshimin te ai. Ai filloi të lutej, të qëndronte në shtëpi dhe shmangte shoqërinë me ish miqtë e tij.
Por ai “kurrë nuk tregoi ekstremizëm”, tha Yassin, një vëlla më i madh. “Ai respektoi të gjithë njerëzit e tjerë dhe pranoi dallimet e tyre edhe që kur ishte fëmijë”.
Sipas familjarëve, ai kishte filluar të mendonte për largim nga Tunizia dhe dëshironte të shkonte drejt Italisë. Për të dytën herë kur tentoi të ikte, nuk e kishte lajmëruar familjen.
Sipas prokurorëve në Tunizi dhe Siçili, Aouissaoui u zhduk në 14 shtator dhe arriti në ishullin Lampedusa më 20 shtator në një anije të vogël peshkimi me 20 tunizianë të tjerë meshkuj.
Zyrtarët italianë thanë se Aouissaoui kurrë nuk kishte qenë në listën e vëzhgimit të policisë tuniziane dhe nuk ishte në radarin e organizatave të inteligjencës. Zyrtarët tunizianë konfirmuan se Aouissaoui nuk ishte renditur nga shërbimet e tyre të sigurisë dhe hetuesit francezë thanë se ai ishte i panjohur atje.
Sipas hetuesve italianë që kanë konfirmuar për The Guradian, më 23 shtator sulmuesi i Nice kishte mbërritur me anije dhe kishte kryer testin e koronavirusit, ku kishte rezoltuar negative. Prokurorët italianë gjithashtu konfirmuan se Aouissaoui nuk kishte asnjë mjet identifikimi në atë kohë.
(Foto @Guardian: Motrat e sulmuesit)
Sipas hetuesve italianë, pasi u mor në pyetje nga policia në Bari, Aouissaoui kaloi më shumë se 10 ditë në Sicili, me sa duket në Palermo. Prokurorët në Palermo dhe Bari kanë filluar një hetim.
Për shkak të numrit të lartë të mbërritjeve nga Tunizia, procedurat e riatdhesimit nga Italia shpesh vonohen. Në vend të kësaj, tunizianëve u jepet një urdhër me shkrim që kërkon që ata të largohen nga Italia brenda shtatë ditësh.
Autoritetet italiane besojnë se ai mund të ketë udhëtuar ilegalisht përmes Ventimiglia në kufirin francez.
Disa orë para se ta kryente sulmin, ai kishte telefonuar familjen e tij dhe u kishte thënë se është në Francë.
“Ai tha se kishte vendosur të shkonte në Francë sepse kishte perspektiva më të mira pune dhe kishte shumë njerëz [që kërkonin punë] në Itali,” tha vëllai i tij.
Motra e Aouissaoui, Afef, tha se ai kishte kërkuar kishën Notre-Dame në Nice kur kërkonte një vend për të fjetur dhe i tha asaj se kishte në plan të pushonte në një ndërtesë përballë. Ai nuk kishte treguar asnjë shenjë se ai po planifikonte ndonjë lloj sulmi, tha ajo, por 12 orë më vonë dyshohet se hyri në kishë dhe vrau dy gra dhe një burrë me thikë.
Aouissaoui, i cili mbante dy telefona dhe një Kur’an përveç armës, u qëllua nga policia. Ai është në një gjendje kritike dhe nën vëzhgim të rreptë në spital.
Policia franceze ka arrestuar një 47-vjeçar i cili ishte në kontakt me Aouissaoui të mërkurën në mbrëmje, megjithëse zyrtarët thanë se nuk kishte prova të ndonjë bashkëpunimi.
Tunizianët u përfshinë në tetë komplote në Francë midis 2014 dhe mesit të 2019.
Megjithëse revolucioni i vitit 2011 i solli Tunizisë demokraci dhe liri të shprehjes, ai nuk u përkthye në një përmirësim të standardit të jetesës ose mundësi ekonomike dhe një numër në rritje i të rinjve kanë kërkuar të emigrojnë.
Tunizianët gjithnjë e më shumë largohen nga vendi drejt brigjeve të Italisë me qëllim që të kërkojnë një jetë më të mirë në vendet e Bashkimit Europian./arbresh.info/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...