“Sulmuesi në Avignon të Francës ishte ekstremist anti-mysliman”

16:44 | 30 Tetor 2020
Arbresh.info

Një burrë i cili u qëllua për vdekje nga policia në qytetin francez Avignon pasi ngacmonte kalimtarët dyshohet se i përket një grupi anti-mysliman, të ekstremit të djathtë, njoftuan sot mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

I dyshuari u vra të enjten menjëherë pas orës 11:00 (10:00 sipas kohës së Evropës Qendrore) në qytetin jugor të qarkut Montfavet. Ai ishte parë duke përdorur një pistoletë në rrugë dhe thuhet se kërcënoi një shitës të Afrikës së Veriut.

Policia u afrua dhe kërkoi që burri të hidhte armën, duke përdorur një gjuajtje të shpejtë për ta nënshtruar atë. Policët qëlluan mbi të dyshuarin pasi ai nuk iu bind urdhrit.

Raportet fillestare të enjten në mediat lokale dhe ndërkombëtare pretendonin në mënyrë të rreme se i dyshuari ishte një “Islamist” i cili bërtiti “Allahu Akbar” (Zoti është më i madh) në rrugë.

Burimet e policisë i thanë të përditshmes franceze “Le Figaro” se i dyshuari kishte qenë duke kaluar nëpër trajtim psikiatrik dhe besohej të ishte anëtar i grupit të ekstremit të djathtë “Generation Identitaire”.

Megjithatë, prokurorët përjashtuan terrorizmin si motiv të mundshëm.

“Generation Identitaire” është dega franceze e grupit anti-emigrant, grupi ksenofob “Generation Identity”, i cili ka tërhequr të rinjtë përmes mediave sociale, duke shfrytëzuar frikën ndaj refugjatëve dhe terrorizmit.

Anëtarët kryesorë të grupit kanë përhapur ide supremaciste të bardha dhe teori konspirative anti-muslimane dhe raciste.

Sipas raporteve të mediave lokale, i dyshuari 33-vjeçar kishte veshur një xhaketë të neo-nazistëve me logo “Mbro Evropën”.

Të enjten u regjistruan dy incidente të tjera terrorizmi në territorin francez si dhe një jashtë shtetit, i fundit në vargun e dhunës e cila ka përfshirë vendin gjatë muajve të fundit.

Një sulm brutal ndodhi të enjten në mëngjes në Nice me vrasjen fatale të dy grave dhe një burri në Bazilikën e Notre Dame de l’Assuction. Njërës prej grave iu pre koka. Policia arrestoi sulmuesin, i cili mbetet në spital me plagë me armë zjarri.

Në skenën e sulmit, presidenti francez, Emmanuel Macron e quajti incidentin “një sulm terrorist islamik”.

Drejtuesit e komunitetit mysliman në Francë kanë dënuar sulmet e fundit terroriste, duke theksuar se ekstremistët abuzojnë me fenë për qëllimet e tyre dhe veprimet e tyre nuk mund të justifikohen përmes Islamit.

Gjithashtu të enjten, një burrë tjetër që mbante një thikë u arrestua në Lyon pranë stacionit hekurudhor Perrache.

Një burrë tjetër sulmoi një roje sigurie me thikë në Konsullatën Franceze në Xheda të Arabisë Saudite, duke i shkaktuar plagë.

Prokuroria Kombëtare Kundër Terrorizmit hapi hetime ndërsa kryeministri, Jean Castex vendosi të enjten Francën në një alarm të nivelit emergjent kundër terrorizmit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme