Google ADS

Sulmi terrorist në Rusi, Republika Sërpska shpall ditë zie 24 marsin

18:26 | 23 Mars 2024
E.K

Republika Sërpska e ka shpallur 24 marsin ditë zie për shkak të sulmit terrorist në Moskë, ku u vranë së paku 140 persona gjatë një sulmi me armë në një sallë koncertesh në periferi të kryeqytetit rus.

Ishte presidenti i Repulikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili njoftoi ditën e zisë përmes një postimi në rrjetin social “X”.

Dodik tha se Republika Sërpska solidarizohet me popullin mik të rusisë duke nderuar njerëzit e pafajshëm që u vranë.

“Në këtë mënyrë duam të nderojmë njerëzit e pafajshëm që u vranë në sulmin terrorist në Moskë dhe të solidarizohemi me popullin mik të Rusisë”, ka shkruar presidenti i RS në rrjetin social X.

Agresorët, të veshur me rroba kamuflazhi, hapën zjarr ndaj të pranishmëve pak përpara se grupi rok i epokës para sovjetike, “Picnic”, të performonte në sallën me 6.200 vende në Krokus City Hall.

Pamje të publikuara tregojnë njerëz që ngrihen nga sediljet e tyre dhe vrapojnë drejt daljeve, ndërsa në sfond dëgjohen të shtëna dhe klithma.

Gjithashtu, terroristët përdorën edhe bomba molotov dhe shumë shpejt, godina u përfshi nga flakët.

Autoritetet ruse, që nisën një hetim mbi ngjarjen duke e klasifikuar atë si sulm terrorist, druhen se bilanci i viktimave mund të jetë më i rëndë.

Ato kanë saktësuar se krahas të vdekurve janë edhe rreth 145 të plagosur, nga të cilët 40 janë në gjendje kritike në spital./euronews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme