Në seancën e tij të parë publike, komisioni hetimor që po heton sulmin ndaj Kongresit Amerikan nga ana e mbështetësve të Donald Trump, pas pretendimeve të ish presidentit amerikan për vjedhjen e zgjedhjeve, u kujtoi amerikanëve atë që ndodhi më gjashtë janar të vitit 2021, sipas Reuters.
Komisioni hetimor bëri të ditur të enjten se Donald Trump dhe pretendimet e tij për manipulim të zgjedhjeve ishin në qendër të asaj që përbënte një “tentativë për grusht shteti” për të mbetur në pushtet.
Kjo ishte e para nga gjashtë seancat e planifikuara që synojnë të tregojnë se ish-presidenti republikan komplotoi për të mbajtur në mënyrë të paligjshme pushtetin.
Liz Cheney, zëvendëskryetare e komisionit tha se Trump kishte qenë nxitës i trazirave. Komisioni zbuloi detaje rrëqethëse, që sugjeronin se atëherë kreu i Shtëpisë së Bardhë, kishte rënë dakord me thirrjet se zëvendësi i tij, Mike Pence duhej të varej.
“Presidenti besonte se mbështetësit e tij në Kapitol, po bënin atë që duhej të bënin. Kështu i tha stafit që i lutej të qetësonte turmën dhe ta udhëzonte të largohej. Presidenti tha “ndoshta mbështësit tanë kanë të drejtë. Mike Pence e meriton këtë”, tha Liz Cheney.
“6 janari i vitit 2021 ishte kulmi i një grushti të dështuar shteti, një përpjekje e pacipë për të përmbysur qeverinë. Dhuna nuk ishte aksident. Ajo përfaqësoi mundësinë e fundit të dëshpëruar të Trump për të penguar transferimin e pushtetit”, tha Bennie Thompson.
Lexo edhe: Komisioni hetimor mbi sulmet në Kongres: Trump nxiti tentativën për grusht shteti
Pas një viti hetimesh, komisioni i drejtuar nga demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve, nisi seancën në mbrëmjen e së enjtes, duke shfaqur klipe të intervistave që kishte kryer me pjestarë të rrethit të ngushtë të Trump.
Ish-prokurori i përgjithshëm, Bill Barr, dëshmoi se vazhdimisht i kishte thënë ish-presidentit se pretendimet për vjedhje të votave ishin të gabuara.
“Ia bëra të qartë se nuk jam dakord me idenë se zgjedhjet janë vjedhur dhe se këto pretendime ishin thjesht të pavërteta”, tha Barr.
Seanca përfshiu gjithashtu një intervistë të Ivanka Trump, vajza e manjatit të pasurive të patundshme, e cila tha se e kishte pranuar refuzimin e Barr lidhur me teorinë konspirative të të atit. Para nisjes së seancës publike, e para nga 6 të tilla që pritet këtë muaj, Trump e sulmoi atë duke e quajtur mashtrim politik.
Ish-presidenti ka sugjeruar në daljet publike se po mendon të rikandidojë për Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e 2024-s./abcnews.al
Liverpooli synon ta transferojë senzacionin e Brightonin kët...
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...