Një organizatë ndërkombëtare për mbikëqyrjen e armëve kimike tha të martën se do të dërgojë një ekip në qytetin sirian të Dumës për të hetuar një sulm të dyshuar me gaz helmues që vrau dhjetra njerëz fundjavën e kaluar pranë Damaskut.
Organizata për ndalimin e armëve kimike (OPCW) tha se do të shkojë në Duma pas kërkesave për të hetuar rreth incidentit të dyshuar.
“Kjo përkon me kërkesën e Republikës Arabe të Sirisë dhe Federatës Ruse për të hetuar mbi akuzat për përdorimin e armëve kimike në Duma,” tha organizata. “Ekipi është duke u përgatitur për shkuar në Siri së shpejti.”
Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se presidenti Donald Trump do të anulojë një udhëtim të planifikuar në Amerikën Latine dhe do të qëndrojë në SHBA për të “mbikqyrur përgjigjen amerikane ndaj Sirisë”.
Zoti Trump tha se administrata e tij ka gjasa të njoftojë “pas faktit” se si ka vendosur t’i përgjigjet sulmit të dyshuar kimik.
“(Sulmi) do të marrë përgjigje dhe do të marrë përgjigje të fortë,” tha zoti Trump para takimit me udhëheqësit e lartë ushtarakë të hënën mbrëma.
Ai vuri në dukje fuqinë e SHBA për të ndalur mizoritë si sulmi i së shtunës në Ghoutan lindore të mbajtur nga kryengritësit, ku u vranë së paku 40 vetë.
“Ne kemi shumë alternativa ushtarake,” tha ai, duke mos dhënë hollësi. Vitin e kaluar, ai urdhëroi sulme ajrore ndaj një aeroporti sirian që u përdor për të ndërmarrë një sulm tjetër kimik.
SHBA kishin kërkuar gjithashtu që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të hidhte në votë të martën pasdite një rezolutë që bën thirrje për një hetim të ri rreth përdorimit të armëve kimike në Siri. Për miratimin e një rezolute do të duheshin nëntë vota dhe asnjë abstenim nga Rusia, Britania, Kina apo SHBA. Rusia thotë se nuk është dakord me draftin e paraqitur nga SHBA.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se është i indinjuar nga njoftimet e vazhdueshme për sulme me armë kimike në Siri. Ai bëri thirrje për një hetim të paanshëm me OPCW duke i lejuar organizatës qasje të plotë.
Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha të martën se Rusia do të paraqiste një rezolutë në Këshillin e Sigurimit me propozimin për dërgimin e hetuesve në Siri.
Kjo pason komentet e emisarit të Moskës Vassily Nebenzia, i cili tha se ekspertët rusë kanë vizituar tashmë vendin, kanë mbledhur mostrat e tokës, kanë intervistuar dëshmitarët dhe personelin mjekësor dhe se nuk ka pasur ndonjë sulm me armë kimike.
Ambasadorja e SHBA Nikki Haley i tha Këshillit të Sigurimit të hënën se Rusia dhe Irani mund ta ndalin “shkatërrimin vrasës” të qeverisë siriane, duke shtuar se duart e Moskës janë “të lyera me gjakun e fëmijëve sirianë”.
Britania thotë se Sekretari i Jashtëm Boris Xhonson foli në telefon me ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, John Sullivan dhe të dy “ranë dakord se, bazuar në raportet e medias dhe raportet nga terreni, ky sulm mban shenja të sulmeve të mëparshme kimike nga ana e regjimit të Asadit.”
Presidenti francez Emmanuel Macron ka folur në telefon disa herë me zotin Trump për të koordinuar reagimin e tyre ndaj sulmit të së shtunës./VoA/
Pjesëtarët e FSK-së trajnohen për përdorimin e mortajave në ...
Prokuroria Speciale ia përsërit ftesën kryeministrit Kurti p...
Mbledhja e përbashkët e dy kuvendeve, Kosovë – Shqipëri mbyl...
Nënshkruhet marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për ...
Hoxha: Policia vazhdon të mbetet ndër institucionet më të be...
Dyshime të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, Prokuroria Them...