Një sulm i dyshuar izraelit me dron goditi një ndërtesë ushtarake iraniane më 28 janar, që sipas analistëve ishte një sulm që është pjesë e përpjekjes së re për të frenuar Teheranin.
Përpjekjet e zgjatura për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, të arritur midis Iranit dhe fuqive botërore, kanë dështuar. Në mungesë të një marrëveshjeje, Teherani ka grumbulluar mjaftueshëm uranium të pasuruar në nivel të lartë për të krijuar disa armë bërthamore, ka thënë agjencia bërthamore e Kombeve të Bashkuara.
Irani po ashtu varet nga lidhjet ushtarake me Rusinë dhe i furnizon trupat ruse me dronë luftarakë për luftën kundër Ukrainës. Sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, Irani po ashtu mund t’i dërgojë Moskës raketa të fuqishme balistike dhe raketa të tjera.
Gjatë vitit të kaluar, brenda Iranit ka pasur një sërë incidentesh, përfshirë sabotime, sulme kibernetike, atentate dhe vrasje të mistershme të anëtarëve të Gardës së fuqishme Revolucionare Islamike, por edhe të shkencëtarëve dhe inxhinierëve. Për disa prej këtyre incidenteve, Teherani ka fajësuar Izraelin, armikun e tij rajonal.
“Deri vitin e kaluar, strategjia e frenimit e Izraelit kishte dy aspekte kryesore: parandalimin e transferimit të armëve dhe pajisjeve iraniane për në Siri dhe Liban, duke sulmuar autokolonat tokësore dhe ajrore, dhe duke u përpjekur që të pengojë programin bërthamor të Iranit përmes sulmeve ndaj shkencëtarëve dhe uzinave bërthamore iraniane”, tha Hamidrez Azizi, bashkëpunëtor në Institutin gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.
Teherani është një mbështetës kyç i presidentit sirian, Bashar al-Assad dhe i grupit militant libanez, Hizballah.
Azizi tha se Izraeli ka sulmuar ndërtesat ushtarake, dhe jo ato bërthamore, brenda Iranit gjatë muajve të fundit, që sipas tij, vënë në pah “elementin e tretë, të ri” të politikës së Izraelit ndaj Iranit.
“Këto sulme si duket synojnë sabotimin e prodhimit të raketave të avancuara dhe dronëve nga Republika Islamike”, tha Azizi për Radion Evropa e Lirë.
“Kundërshtimi i aktiviteteve destabilizuese të Iranit”
Mediat amerikane kanë cituar zyrtarë të paidentifikuar të inteligjencës amerikane të cilët kanë thënë se Izraeli qëndron pas sulmit në ndërtesën ushtarake në qytetin Isfahan, që është shtëpi e qendrës për kërkim dhe prodhim të raketave. Pentagoni ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë të përfshira në këtë sulm.
Shkalla e dëmit në ndërtesën ushtarake është ende e paqartë. Ministria e Mbrojtjes së Iranit ka deklaruar se shpërthimi në “punëtori” ka shkaktuar vetëm dëme të vogla dhe nuk ka pasur viktima. Videot e postuara në rrjetet sociale kanë treguar se aty ka ndodhur një shpërthim.
Sulmi pasi një udhëtim në Izrael nga shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, William Burs, dhe një vizitë të mëhershme të këshilltarit për siguri kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan.
Gjatë vizitës në Izrael më 30 janar, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u tha gazetarëve se zhvilloi bisedime me Qeverinë izraelite të krahut të djathtë lidhur me “thellimin e bashkëpunimit për t’iu kundërvënë dhe kundërshtuar aktivitetet destabilizuese të Iranit në rajon dhe më tej”.
Teherani nuk ka fajësuar ende askënd për sulmin. Ministri i Jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian, tha se “sulmi frikacak me dron” synonte krijimin e “pasigurive” brenda Republikës Islamike.
Irani thirri në bisedë të ngarkuarin me punë në Teheran të Ukrainës pasi një ndihmës i lartë i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, Mykhaylo Podolyak, shkroi në Twitter për “shpërthimin gjatë natës në Iran”, duke shtuar se Ukraina “ju kishte paralajmëruar”.
Nournews, që është i lidhur me Këshillin Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, më herët tha se postimi i Podolyakut nënkuptonte përfshirjen e Kievit në këtë sulm dhe paralajmëroi për “pasoja të rënda”.
Sulmi erdhi në kohën e përkeqësimit të raporteve mes Iranit dhe shteteve perëndimore lidhur me shtypjen brutale të protestave kundër regjimit – që ende po vazhdojnë në Iran – dhe në kohën e thellimit të bashkëpunimit ushtarak me Rusinë.
Irani e ka pranuar se i ka dërguar dronë Rusisë, por ka argumentuar se dronët janë dërguar para se Rusia të niste pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Moska ka mohuar se përdor dronët iranianë në Ukrainë, edhe pse dronë të tillë janë rrëzuar nga mbrojtja ukrainase.
“Aktivizimi i mundshëm i Planit B”
Alexander Grinberg, ekspert për Iranin në Institutin për Strategji të Sigurisë në Jerusalem, tha se sulmet e fundit izraelite, të shkallës së vogël, kundër Teheranit kanë “ndikim të kufizuar në aftësitë ushtarake të Iranit, teksa ky shtet është i përgatitur dhe ka një nivel të qëndrueshmërisë teknike dhe strategjike”.
Por, “koha kur ndodhën sulmet është e rëndësishme, përderisa shpresat për [një marrëveshje bërthamore] po vdesin dhe tensionet mes Evropës dhe Iranit po rriten”, tha për Radion Evropa e Lirë, Grinberg, që më herët ka qenë zyrtar i inteligjencës ushtarake të Izraelit. “SHBA-ja dhe Izraeli po ashtu, aktualisht po kryejnë stërvitjet më të mëdha ushtarake, duke dhënë sinjale për një aktivizim të mundshëm të Planit B”.
Grinberg tha se është në dorën e Iranit “që ose të përgjigjet dhe të përshkallëzojë tensionet, ose të negociojë me SHBA-në dhe Evropën”.
Azizi, nga Instituti gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, tha se Irani nuk ka aftësi për t’u hakmarrë në të njëjtën masë.
“Izraeli ka të ngjarë që e di këtë dhe prandaj vazhdon të bëjë provokime të tilla”, tha ai.
Por, Azizi shtoi se për shkak të presionit të madh nga me të cilin po përballet Republika Islamike nga brenda vendit për shkak të protestave kundër regjimit, por edhe nga jashtë, “mund të llogarisë se mospërgjigja është më e dëmshme për mbijetesën e saj sesa të bëjë diçka”.
“Ende nuk jemi në këtë pikë, por rreziku ekziston dhe po bëhet gjithnjë e më real”, paralajmëroi Azizi.
Në të kaluarën, Irani është hakmarrë duke shënjestruar anijet, në pronësi të Izraelit, me dronë dhe ka kryer sulme kibernetike ndaj infrastrukturës izraelite. Vitin e kaluar, Irani mori përgjegjësinë për një sulm me raketa në qytetin verior iranian të Erbilit. Teherani tha se në këtë sulm shënjestroi një “qendër strategjike” të Izraelit./rel
Haradinaj: Rinia e Aleancës është e përgatitur të jetë shtyl...
Maqedonci falënderon ushtarët amerikanë për punën e tyre për...
LDK njofton se “Turneu i Ndryshimit” do të mbahe...
Ukraina do t’i kërkojë NATO-s ftesë për anëtarësim javën e a...
Costa: Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor, forcon paqe...
Gruda: Nuk kemi pasur forcë më herët për ta rrëzuar këtë qev...