Google ADS

Sulmi ajror izraelit vret komandantin e Hezbollahut në Libanin jugor

21:16 | 8 Janar 2024
D.H

Një sulm ajror izraelit vrau të hënën një nga komandantët kryesorë të Hezbollahut në Libanin jugor. Kjo është shenja më e fundit e thellimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Një zyrtar libanez i sigurisë tha se sulmi ndaj një makine furiostradë vrau komandantin e një njësie sekrete të Hezbollahut, që ushtron veprimtarinë përgjatë kufirit me Izraelin. Hezbollahu e identifikoi komandatin e vrarë me emrin Wissam al-Tawil dhe një nga zyrtarët e sigurisë tha se ai “kishte një rol udhëheqës në drejtimin e operacioneve të Hezbollahut në jug”.

Izraeli tha se ushtria goditi objektiva të Hezbollahut të hënën, por nuk komentoi rreth vdekjes së Wissam al-Tawilit.

Al-Tawili është drejtuesi më i lartë i militantëve të Hezbollahut që vritet që nga sulmi i befasishëm i 7 tetorit në Izraelin jugor, që shkaktoi luftën frontale në Gazë dhe luftimet sporadike mes Izraelit dhe Hezbollahut. Këto luftime sporadike janë përshkallëzuar që nga sulmi, në të cilin u vra një drejtues i lartë të Hamasit në Bejrut javën e kaluar. Në sulmin, për të cilin është akuzuar Izraeli, u vra drejtuesi më i lartë i Hamasit që nga fillimi i luftimeve, Saleh al-Arouri.

Kreu i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, paralajmëroi Izraelin të premten e kaluar se luftëtarët e kësaj organizate do t’i kundërpërgjigjeshin me shpejtësi vrasjes së al-Arourit. Grupi Hezbollah mori përgjegjësinë për sulmin që ndodhi ditën pasuese ndaj një baze ajrore izraelite.

Gjatë luftimeve përgjatë kufirit në tre muajt e fundit, janë vrarë mbi 180 persona në Liban, ndër ta mbi 135 luftëtarë të Hezbollahut, si dhe mbi 20 civilë, përfshirë tre gazetarë, sipas të dhënave të përpiluara nga agjencia franceze e lajmeve AFP.

Në Izraelin verior janë vrarë nëntë ushtarë dhe të paktën katër civilë, sipas të dhënave të autoriteteve izraelite.

Sulmi në Liban u bë ndërsa Izraeli njoftoi se po përfundon pjesën më të madhe të operacioneve në Gazën e veriut kundër militantëve të Hamasit dhe tashmë po përqëndrohet në pjesën qendrore dhe në qytetin jugor Khan Younis.

Zyrtarët izraelitë kanë thënë se luftimet do të vazhdojnë për disa muaj të tjerë, ndërsa ushtria përpiqet të eliminojë kontrollin e Hamasit mbi Rripin e Gazës, për t’i dhënë kështu fund rrezikut që ky grup paraqet për Izraelin dhe për të liruar 129 personat që vazhdojnë të mbahen peng nga Hamasi.

Hamasi vrau rreth 1200 persona gjatë sulmit të tetorit në Izrael dhe mori peng 240 persona, ndërsa ministria e shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi thotë se kundërofensiva izraelite ka vrarë mbi 23 mijë palestinezë. Pjesë të mëdha të Gazës janë rrënuar dhe 85% e popullsisë së saj prej 2.3 milionë banorësh janë zhvendosur.

Izraeli tha të hënën se ushtria bëri sulme të reja të hënën ndaj militantëve të Hamasit në Gazën qendrore dhe jugore, ndërkohë që zyrtarët izraelitë përgatiteshin për vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Kryediplomati amerikan tha se do të ngrejë çështjen që Izraeli duhet të bëjë më shumë për të parandaluar viktimat në radhët e civilëve gjatë operacioneve në Gazë dhe për të lehtësuar dërgimin e ndihmave për civilët palestinezë.

Sekretari Blinken ka shprehur gjithashtu shqetësime për zgjerimin e konfliktit në rajon.

“Ky është një konflikt që lehtësisht mund të përhapet, duke shkaktuar edhe më tepër pasiguri dhe më tepër vuajtje”, tha Sekretari Blinken të dielën.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua se luftimet do të vazhdojnë, gjatë mbledhjes së përjavshme të kabinetit qeveritar të dielën.

“Lufta nuk duhet të ndalet derisa të arrihen të gjitha objektivat, përfshirë eliminimin e Hamasit, rikthimin e të gjitha pengjeve dhe garantimin që Gaza nuk do të përbëjë më rrezik për Izraelin”, tha ai gjatë fillimit të mbledhjes së kabinetit qeveritar të dielën. “Ua them këtë armiqve dhe miqve tanë”.

Ndër mijëra personat e vrarë deri të dielën nga luftimet janë edhe 79 gazetarë, sipas të dhënave të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ). Kjo organizatë tha se ndër viktimat janë 72 gazetarë palestinezë, katër izraelitë dhe tre libanezë.

“Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve thekson se gazetarët janë civilë që bëjnë punë të rëndësishme gjatë periudha të krizave dhe nuk duhet të bëhen objektiv sulmi nga palët ndërluftuese”, u shpreh në një deklaratë Sherif Mansouri, koordinator në këtë komitet për Lindjen e Mesme dhe Afrikën.

Kanali Al Jazeera i bëri thirrje “Gjykatës Ndërkombëtare Penale, qeverive, organizatave të të drejtave të njeriut dhe Kombeve të Bashkuara që ta mbajnë Izraelin përgjegjës për krimet e rënda” dhe kërkoi “dhënien fund të sulmeve dhe vrasjeve të gazetarëve”.

Ushtria izraelite nuk ka komentuar ende për sulmin, por në një deklaratë të 16 dhjetorit, në përgjigje të vrasjes së një tjetër gazetari të Al Jazzeeras në Gazë, u shpreh se “Forcat Mbrojtëse të Izraelit nuk kanë vendosur kurrë, dhe nuk do të vendosin ndonjëherë qëllimisht në shënjestër gazetarët”./voa

Të ngjashme