Sulmet kibernetike të Kinës, arma e shekullit të 21-të

01:20 | 29 Nëntor 2021
Trina Galanxhi

Sipas qeverisë amerikane dhe qeverive të vendeve të tjera, Kina është përgjegjëse për ndërhyrjen kompjuterike më të madhe të kryer ndonjëherë, me vjedhje të mesazheve të postës elektronike dhe të dhënave të tjera nga organizata të ndryshme.

Ekspertët thonë se sulmet e orkestruara nga Kina ndaj objektivave strategjike janë shtuar gjatë viteve të fundit.

Në një mbrëmje të muajit janar, firma e sigurisë kibernetike Volexity, e cila vëzhgon rrjetet kompjuterike të klientëve të saj, ndër ta edhe të qeverisë, sektorit të mbrojtjes dhe firmave financiare, pikasi një anomali.

“Pamë se sasi të mëdha të dhënash largoheshin nga rrjetet e klientëve tanë. U alarmuam”, tregon Steven Adair, president i firmës “Volexity”.

Ky konstatim zbuloi një operacion të fshehtë që shfrytëzonte një mangësi të panjohur më parë në programin e postës elektronike Microsoft Exchange, që përdoret nga bizneset, qeveritë dhe organizata me numër të madh punonjësish. Hakerët ishin duke vjedhur email-et.

Administrata e Presidentit Biden tha se ndërhyrja ishte rezultat i një sulmi hakerësh të sponsorizuar nga shtetit kinez.

Kina ka mohuar ndonjë lidhje me sulmin ndaj sistemeve të kompanisë Microsoft. Një artikull në gazetën shtetërore kineze “Global Times” akuzoi Shtetet e Bashkuara për sulme kibernetike ndaj Kinës.

Sipas zotit Adair, disa të dhëna fillestare nga sulmi ndaj sistemit të postës elektronike Microsoft Exchange tregonin gjurmët e Kinës, si p.sh. tek kodi i përdorur në programimin e sulmit, destinacioni ku dërgoheshin të dhënat, si dhe objektivat e sulmit.

“Është skenari klasik i spiunazhit kibernetik, me qëllimin për të marrë informacion, për të vjedhur të dhënat dhe për t’i dërguar gjetiu. Nuk dimë se çfarë donin pikërisht dhe se çfarë bënin me informacionin. Mund të hamendësojmë, por operacioni ishte tepër preçiz dhe në fshehtësi të plotë”, thotë zoti Adair.

Megjithëse hakerët rusë kanë qenë përgjegjës për disa nga sulmet kibernetikë më të mëdhenj në Shtetet e Bashkuara, firmat e sigurisë kibernetike thonë se gjatë dy viteve të fundit, Pekini ka porositur më shumë operacione kibernetike, ndaj vendeve të Azisë dhe në mbarë botën, për të mbledhur të dhëna zbulimi për shoqërinë, ekonominë dhe politikën.

Gjatë takimit të tyre virtual, Presidenti Biden dhe ai kinez Xi Jinping diskutuan se si të ulin konfliktet kibernetike mes dy vendeve.

“Mendoj se tani po kuptojmë që përpjekjet e zbulimit kinez nuk u ndalën ndonjëherë dhe se në fakt u bënë shumë më tepër të sofistikuara teknologjikisht”, thotë Josephine Wolff, eksperte e politikave të sigurisë kibernetike.

Në rastin e sulmit ndaj Microsoft Exchange, mangësitë e sistemit u bënë të njohura përpara se kompania të mund t’i korrigjonte.

Grupe hakerësh nga e gjithë bota patën mundësinë ta shfrytëzonin këtë dobësi dhe të sulmonin objektiva nga të gjitha llojet.

“Pati organizata nga e gjithë bota, që nga firma të mëdha kontraktore në fushën e mbrojtjes, agjensi qeveritare dhe entitete të vogla, si shtëpi funerale, apo drejtori arsimore. Mendoj se ishte ndoshta ndër sulmet kibernetike më të mëdha të të gjitha kohërave”, thotë zoti Adair.

Presidenti Biden nënshkroi rishtazi ligjin dypartiak për infrastrukturën, ku përfshihen edhe gati 2 miliardë dollarë për sigurinë kibernetike.//VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme