Bombardimet izraelite i kanë vrarë dhjetëra njerëz në Liban dhe në Rripin e Gazës të dielën, thonë zyrtarët.
Një sulm ajror izraelit i vrau të paktën 23 njerëz në fshatin Almat, në veri të Bejrutit dhe në pjesë jugore dhe lindore të Libanit, ku grupi militant Hezbollah ka prani. Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se gjashtë njerëz u plagosën. Izraeli nuk e ka komentuar sulmin ende.
Në veri të Rripit të Gazës, një sulm izraelit mbi një shtëpi që po strehonte njerëz të zhvendosur në kampin e refugjatëve në Xhabalia, vrau të paktën 17 njerëz, sipas drejtorit të një spitali aty pranë, i cili i pranoi trupat e viktimave.
Fadel Naim, drejtor i Spitalit Al-Ahly në qytetin Gaza, tha se në mesin e të vdekurve janë nëntë gra, dhe se numri i të vdekurve mund të rritet.
Ushtria izraelite tha se e sulmoi një zonë ku militantët po vepronin në Xhabalia, pa dhënë dëshmi për këtë.
Forcat izraelite i kanë rrethuar dhe izoluar Xhabalian dhe qytetet përreth si Beit Lahiya dhe Beit Hanoun gjatë muajit të fundit, duke lejuar vetëm një sasi të vogël ndihme humanitare të hyjë. Qindra njerëz janë vrarë që nga fillimi i ofensivës më 6 tetor, dhe dhjetëra mijëra janë zhvendosur.
Izraeli godet gjithnjë e më thellë në Liban
Hezbollahu filloi të hedhë raketa dhe dronë në Izrael pasi shpërtheu lufta në Gaza në tetor 2023, në mbështetje të palestinezëve dhe grupit militant të mbështetur nga Irani, Hamas.
Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
Edhe Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.
Izraeli u hakmor ndaj Hezbollahut dhe një sërë përshkallëzimesh për disa muaj çuar drejt luftës së përgjithshme mes tyre në shator, kur Izraeli kreu një valë sulmesh të rënda dhe vrau liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, si dhe shumicën e komandantëve të tij kryesorë.
Prej atëherë, Izraeli ka goditur zona gjithnjë e më thellë brenda Libanit, ndërsa Hezbollah ka zgjeruar sulmet me raketa nga veriu në qendër të Izraelit. Luftimet kanë vrarë mbi 3.000 njerëz në Liban, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, dhe më shumë se 70 njerëz në Izrael./rel
Ushtria amerikane godet objektivat e Houthit në Jemen
Presidenti i Federatës Franceze komenton mungesën e Mbappes:...
Izraeli lëshon një paralajmërim të ri evakuimi për Bejrutin ...
Ganimete Musliu: Më 9 shkurt Qeveria Kurti do të shkojë në s...
Plan-atentati ndaj presidentit të Malit të Zi ndoshta dezinf...
Epoka digjitale sjell reduktimin e përdorimit të stilolapsev...