Sulmet ajrore izraelite në qytetin jugor të Gazës, Rafah, kanë goditur zona të dendura me palestinezë, pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka urdhëruar trupat e tij të “përgatiten për të operuar”.
Qyteti Rafah është kthyer në zonën e fundit ku kanë mundur të strehohen deri më tani palestinezët, pas nisjes së luftës më 7 tetor.
Lufta është nxitur prej sulmeve të Hamasit në tokën izraelite, atë ditë, duke vrarë mbi 1.200 izraelitë dhe duke marrë 240 pengje.
Hamasi, grup që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Ofensiva e Netanyahut në Rafah, ku vlerësohet se kanë ikur 1.3 milion njerëz, është dënuar prej grupeve për të drejta të njeriut dhe Uashingtonit, derisa palestinezët kanë thënë se nuk kanë më vend as ku të ikin.
Dëshmitarët kanë raportuar për sulme të reja në Rafah, në orët e hershme të së shtunës, pasi ushtria izraelite i ka intensifikuar sulmet ajrore, dhe ka shqetësime se mund të nisë edhe një ofensivë tokësore.
“Nuk e dimë as ku të shkojmë”, ka thënë Mohammad al-Jarrah, një palestinez që është zhvendosur prej veriut të Gazës për në jug, në Rafah.
Ky qytet është i vetmi në Rripin e Gazës, në të cilin ende nuk kanë hyrë forcat e ushtrisë izraelite, dhe është pika prej ku hyjnë ndihmat për palestinezët.
Netanyahu u ka thënë zyrtarëve ushtarakë të premten “t’ia dorëzojnë kabinetit një plan të kombinuar për evakuim të popullsisë dhe shkatërrim të batalioneve” të militantëve të Hamasit, të fshehur në Rafah, ka thënë zyra e tij.
Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se nuk e mbështet ofensivën tokësore në Rafah, duke paralajmëruar që nëse nuk planifikohet si duhet, operacioni rrezikon të shkaktojë “katastrofë”.
Shtetet e Bashkuara janë mbështetëset kryesore ndërkombëtare të Izraelit, dhe ndajnë miliarda dollarë ndihmë për ushtrinë e tij.
Mirëpo në shenjë zemërimi, presidenti amerikan, Joe Biden, ka lëshuar një deklaratë me tone kritike ndaj Izraelit, duke thënë se hakmarrja për sulmin e Hamasit, ka shkuar shumë larg.
Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, mbi 27.000 njerëz janë vrarë në Gazë, si pasojë e ofensivës izraelite./rel
Sulm me thikë në Mbretërinë e Bashkuar, dy të vdekur e dy të...
Syzet inteligjente Ray-Ban bëhen me “ekrane televizive”
Si të përdorni teknologjinë për të përmirësuar shëndetin?
Cilat aplikacione u harxhojnë më së shumti baterinë e telefo...
Përfitimet e pushimeve të rregullta për shëndetin
Hovenier në takimin lamtumirës vizitoi kompleksin memorial t...