Një sulm me raketa vuri në shënjestër forcat amerikane në Siri të hënën, disa orë pasi ushtria amerikane tha se goditi tre objektiva pranë kufirit mes Sirisë dhe Irakut të përdorura nga milici të mbështetura nga Irani për të ndërmarrë sulme me dronë mbi personelin dhe objektet amerikane.
“Rreth orës 7:44 pasdite me kohën lokale, Forcat Amerikane në Siri u sulmuan nga raketa të shumta. Nuk ka lëndime dhe dëmi po vlerësohet,” shkroi në Twitter koloneli amerikan Wayne Marotto, zëdhënësi i ndërhyrjes ushtarake ndërkombëtare kundër Shtetit Islamik.
Zoti Marotto nuk tha se kush mbante përgjegjësi për sulmin me raketa.
Sipas Pentagonit, objektet përdoreshin nga grupet e milicisë, duke përfshirë Kataeb Hezbollahun dhe Kataeb Sayyid al-Shuhada, dy fraksione ushtarake irakiane me lidhje të ngushta me Teheranin.
Dy nga objektivat ishin brenda Sirisë dhe një ishte brenda Irakut.
“Sulmet kundër trupave tona duhet të ndalen dhe për këtë arsye presidenti urdhëroi operacionin e mbrëmshëm në vetëmbrojtje të personelit tonë,” u tha gazetarëve sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Trupat amerikane në Irak janë sulmuar nga dronë tre herë në “pak më shumë se një muaj”, i tha Zërit të Amerikës gjeneral Frank McKenzie, kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së në një intervistë në Kajro më 15 qershor. Sulmet nuk shkaktuan viktima.
“Në Irak ka shumë dronë. Disa prej tyre janë të vendit. Disa kanë ardhur nga Irani. Jemi të sigurt për këtë,” tha gjeneral McKenzie.
Zëdhënësja e Pentagonit, Komandante e Marinës Jessica McNulty shtoi të hënën se “milicitë e mbështetura nga Irani kanë kryer të paktën pesë sulme me mjete ajrore pa pilot të njëanshme kundër mjediseve të përdorura nga personeli i SHBA-së dhe koalicionit në Irak që nga prilli, si edhe sulme të vazhdueshme me raketa kundër SHBA-së dhe forcave të koalicionit. ”
“Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konflikt me Iranin, por ne jemi të gatshëm të mbrojmë forcat tona në mbarë rajonin dhe për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi ose sulmi,” tha ajo.
Kryeministri irakian Mustafa al-Kadhimi dënoi të hënën sulmin ajror të Shteteve të Bashkuara në territorin e vendit të tij duke e quajtur atë një shkelje të sovranitetit kombëtar që bie ndesh me konventat ndërkombëtare. Ushtria e Irakut tha se vendi i saj nuk duhet të jetë një arenë “për të larë hesapet”.
Zonja Psaki vuri në dukje se SHBA pajtohet me një thirrje për ulje tensionesh nga kryeministri irakian por tha të hënën se administrata ndihej e sigurt tek “arsyetimi ligjor” i saj për goditjet.
“Presidenti Biden ka qenë i qartë se ai do të veprojë për të mbrojtur personelin amerikan,” tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby në një deklaratë të dielën vonë, duke shtuar se sulmet ishin “të kufizuara”.
Sulmet me raketa dhe dronë kundër trupave të koalicionit kanë qenë të shpeshta që kur një sulm me dron në janar 2020 afër aeroportit të Bagdadit shkaktoi vdekjen e Qasem Soleimanit, udhëheqës i forcës elite iraniane, Quds. Udhëheqësi i milicisë irakiane Abu Mahdi al-Muhandis u vra gjithashtu në atë goditje.
Sulmet, shënojnë herën e dytë që Shtetet e Bashkuara ndërmarrin goditje ndaj milicive të mbështetura nga Irani në Siri, që kur presidenti Joe Biden mori detyrën
Në fund të shkurtit, SHBA vunë në shënjestër ndërtesa në Siri që i përkisnin asaj që Pentagoni tha se ishte milici e mbështetur nga Irani, përgjegjëse për sulmet kundër personelit amerikan dhe aleatëve në Irak.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të së hënës me Ministrin e Jashtëm italian Luigi Di Maio në Romë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se SHBA ndërmori një “veprim të nevojshëm, të përshtatshëm,” me qëllimin për të kufizuar rrezikun e përshkallëzimit ndërsa dërgonte një mesazh “të qartë” parandalimi.
Zonja Psaki u tha gazetarëve se Shtëpia e Bardhë kishte njoftuar disa anëtarë të Kongresit përpara goditjeve dhe ishte në kontakt të ngushtë me partnerët në rajon./voa/
Kryetari i Zubin Potokut: Prapa sulmit në Ibër Lepenc qëndro...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, Zeqiri: Cak i këtij sulmi ka qenë...
Sulmet në Zveçan e Ibër Lepenc, policia me aksion për identi...
Gërvalla: Pas një angazhimi të jashtëzakonshëm të institucio...
Hoxhaj: Shpërthimi në Ibër Lepenc, akt i papranueshëm që cen...
Mediat ndërkombëtare raportojnë pas shpërthimit në Ibër Lepe...