Sulm izraelit pranë një spitali në Bejrut, vriten 4 persona dhe disa të plagosur

08:03 | 22 Tetor 2024
K.B

Katër persona, duke përfshirë një fëmijë, janë vrarë ndërsa 24 të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit pranë spitalit kryesor qeveritar në Bejrutin jugor, njoftoi ministria libaneze e Shëndetësisë.

Sulmi goditi parkun e makinave të Spitalit Universitar Rafik Hariri, tha një burim spitalor për agjencinë e lajmeve Reuters. Një zëdhënës izraelit kishte paralajmëruar më herët njerëzit që të largoheshin nga disa lokacione në Bejrutin jugor, megjithatë spitali Rafik Hariri nuk ishte në mesin e vendeve të përmendura.

Videot nga lagjja Dahiyeh në Bejrutin jugor, ku shtatë vende për t’u shënjestruar u njoftuan paraprakisht, treguan vendasit që iknin me automjete dhe në këmbë ndërsa sulmet filluan të godasin.

Më herët, ushtria izraelite tha se kishte identifikuar një bunker të Hezbollahut të fshehur nën një spital tjetër në Bejrutin jugor. Zëdhënësi i IDF Daniel Hagari tha se bunkeri nën spitalin Sahel në Haret Hreik mbante qindra miliona dollarë në para dhe ar që po përdoreshin për të financuar sulmet e Hezbollahut ndaj Izraelit.

Drejtori i spitalit Sahel mohoi se kishte një bunker poshtë tij dhe i bëri thirrje ushtrisë libaneze të inspektojë vendin.

Izraeli e ka zgjeruar luftën e tij kundër Hezbollahut përtej infrastrukturës ushtarake dhe thotë se po synon rrjetet financiare të grupit. Të dielën mbrëma Izraeli kreu sulme ajrore duke synuar degët e një shoqate financiare të lidhur me Hezbollahun në periferitë jugore të Bejrutit, si dhe në jug dhe lindje të vendit.

Ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër paratë e mbajtura nga Shoqata Al-Qard Al-Hassan (AQAH). Ajo ofron shërbime financiare për civilët në zonat ku Hezbollahu ka mbështetje të fortë, por Izraeli dhe SHBA-ja e akuzojnë atë si një mbulesë për grupin e mbështetur nga Irani për të financuar aktivitetet e tij./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme