Google ADS

Sullivan: Lufta kundër Hamasit do të zgjasë me muaj

17:38 | 15 Dhjetor 2023
E.K

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Presidentit Biden, Jake Sullivan ndodhet në Izrael, ku gjatë dy ditëve të fundit është takuar me Kryeministrin Beniamin Netanyahu dhe me Presidentin e Autoritetit Palestinez në Bregun Perëndimor, Mahmoud Abbas. Përpjekjet diplomatike amerikane në Lindjen e Mesme synojnë të bindin Izraelin të ulë intensitetin e luftimeve për të shmangur viktimat civile.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan, e pranon se lufta do të marrë kohë, por ai i bëri thirrje Izraelit për të mbrojtur jetët e civilëve palestinezë.

“Ajo që dëgjova nga ministri i mbrojtjes izraelite, Gallant është se lufta kundër Hamasit do të zgjasë me muaj. Ne jemi dakord me këtë, pasi ky grup terrorist është i rrënjosur thellë në Gazë, dhe kjo luftë do të marrë kohë dhe do të ndodhë në faza”, tha zoti Sullivan gjatë konferencës për shtyp të premten nga ambasada amerikane në Jerusalem.

Sidoqoftë, ajo që dallon qëndrimin amerikan me atë të Izraelit është koha kur forcat izraelite duhet të zvogëlojnë intensitetin e luftimeve dhe të gjejnë mënyrën për të vënë në shënjestër udhëheqësit e Hamasit dhe të shmangin vrasjen e civilëve.

“Terroristët zgjodhën të futen në mesin e civilëve. Kjo krijon një barrë të pabesueshme për forcat izraelite, një barrë që është e pazakontë për një ushtri në kohën e sotme. Kjo barrë nuk e pakëson përgjegjësinë e Izraelit për të vepruar në atë mënyrë që bën dallimin midis objektivave terroristë dhe njerëzve të pafajshëm dhe për të marrë çdo masë paraprake për të mbrojtur civilët dhe për të minimizuar humbjet e jetëve”, thotë zoti Sullivan.

Zoti Sullivan, gjithashtu diskutoi me të dyja palët edhe për të ardhmen e pasluftës të Gazës.

Sipas një zyrtari të lartë amerikan, kjo mund të përfshijë kthimin e forcave palestineze të sigurisë, të dëbuara nga Hamasi nga vendet e tyre të punës, pasi grupi militant mori kontrollin e Rripit të Gazës më 2007.

“Çështja se si do të ndodh tranzicioni dhe më çfarë afati kohor, kjo është diçka për të cilën ne jemi duke diskutuar intensivisht. Ne nuk besojmë se ka kuptim ose është e drejtë që Izraeli të pushtojë Gazën në një afat të gjatë… Ne besojmë se Autoriteti Palestinez duhet të rinovohet dhe rigjallërohet në aspektin e metodës dhe qeverisjes. Kjo do të kërkojë shumë punë nga të gjithë ata që janë të angazhuar në autoritetin palestinez, duke filluar nga presidenti Mahmud Abbas”, tha zoti Sullivan, para takimit të sotëm me Presidentin e Autoritetit palestinez Mahmoud Abbas, i cili sipas agjencisë palestineze e lajmeve WAFA, kërkoi ndaljen e sulmeve të Izraelit në Gazë.

Izraeli kundërshton me forcë idenë e rikthimit në punë të ish forcave tp sigurispë, pasi kërkon të mbajë një prani në Gazë dhe thotë se nuk do të lejojë që Autoriteti Palestinez i udhëhequr nga zoti Abbas, i cili administron pjesë të Bregut Perëndimor të marrë përsipër Gazën. Autoriteti palestinez gjithashtu mbetët thellësisht i papëlqyer nga palestinezët.

Luftimet e ashpra ndërkaq kanë vazhduar në Rripin e Gazës.

Bombardimet e pandërprera izraelite e kanë shkatërruar pjesën më të madhe të brezit të ngushtë bregdetar gjatë dy muajve të fundit.

Sipas autoriteteve të Hamasit në Gazë, afro 19,000 njerëz janë vrarë përgjatë këtyre luftimeve.

Izraeli nisi sulmet ndaj Gazës, në përgjigje të sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor duke vrarë 1200 izraelitë dhe duke marrë peng 240 të tjerë.

Mbi 100 Izraelitë deri më tani janë liruar nga Hamasi në këmbim të qindra palestinezëve që u liruan nga burgjet izraelite./voa

Të ngjashme