Google ADS

Suedia pezullon testimin masiv për COVID-19

12:45 | 9 Shkurt 2022
A Z

Suedia ka pezulluar testimin masiv për COVID-19 madje edhe për ata persona që shfaqin simptoma të infeksionit me koronavirus, duke argumentuar se kostoja dhe rëndësia e testimit nuk justifikohen më, transmeton Anadolu Agency.

Vendi skandinav mbylli të mërkurën qendrat e testimit të vendosura në sheshet e qytetit që gjendeshin kudo gjatë pandemisë.

“Kemi arritur në një pikë ku kostot dhe rëndësia e testimit nuk justifikohen më. Nëse do të kishim testime të gjera për të gjithë personat që kanë COVID-19, kjo do të thoshte gjysmë miliardë kruna në javë (rreth 55 milionë dollarë) dhe 2 miliardë në muaj (220 milionë dollarë)”, deklaroi në fillim të kësaj jave drejtoresha e Institutit Suedez të Shëndetit Publik, Karin Tegmark Wisell.

Nga e mërkura, qytetarët me simptoma të COVID-19, gjendja e të cilëve nuk kërkon shtrimin në spital, përgjithësisht nuk do të testohen më në sistemin shëndetësor publik, por kapacitetet do të ridrejtohen tërësisht në testimin e personelit mjekësor, të moshuarve dhe grupeve vulnerabël.

Testet antigjen janë të disponueshme për t’u blerë në supermarkete dhe farmaci, por këto rezultate nuk raportohen tek autoritetet shëndetësore. Klinikat private mund të kryejnë analiza dhe të ofrojnë certifikata për udhëtime ndërkombëtare, por sigurimet shtetërore dhe shëndetësore nuk do të mbulojnë shpenzimet.

Shkalla e lartë e vaksinimit në Suedi ka krijuar optimizëm midis autoriteteve shëndetësore ndërsa një studim i publikuar të martën tregon se antitrupat janë të pranishëm në 85 për qind të mostrave.

“Suedia po udhëheq dhe kombet e tjera do të ndjekin pashmangshmërisht”, tha Bharat Pankhania, profesor në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Exeter në Britani të Madhe.

Siç tha ai, duke pasur parasysh përqindjen e konsiderueshme të të vaksinuarve, “popullatës së informuar, të arsimuar dhe të edukuar” mund t’i besohet kur bëhet fjalë për izolim në rast simptomash.

Në vitin 2021, vetëm rajoni i Stokholmit shpenzoi më shumë se 320 milionë dollarë për testet PCR, para për të cilat qeveria tha se mund të përdoren më mirë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme