Google ADS

Suedia nis ndihmë shtesë ushtarake në Ukrainë

11:51 | 6 Tetor 2023
KRG

Suedia do të dërgojë në Ukrainë ndihmë të re ushtarake, në vlerë të 199 milionë dollarëve, ka thënë ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Jonson.

Ai ka thënë se pjesa më e madhe e ndihmës përbëhet prej municionit.

Jonson ka thënë në një konferencë për media se Qeveria u ka kërkuar zyrtarisht forcave të armatosura që të vlerësojnë nëse Suedia do të mund të dërgojnë aeroplanët luftarakë JAS Gripen në Ukrainë.

Më vonë, Jonson e ka përmendur që për çështje të brendshme të sigurisë, Suedia fillimisht duhet të bëhet vend anëtar i NATO-s, para se të mund të shpërndajë pajisje të tilla.

Suedia shpreson që do të mund t’i bashkohet aleancës veri-atlantike këtë vjeshtë, dhe të marrin fund procedurat e ratifikimit nga ana e Turqisë dhe Hungarisë.

Ndihma e re ushtarake do të jetë e 14-ta që Suedia nis në Ukrainë, prej nisjes së luftës, në shkurt të vitit 2022.

Liderët evropianë janë mbledhur në Granada të Spanjës për të diskutuar rreth përkushtimit për t’i ndihmuar Ukrainës, pas turbulencave të fundit politike në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat i kanë rritur dilemat në këtë drejtim.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar të enjten se Rusia mund t’i sulmojë edhe shtetet tjera brenda pesë vjetëve nëse Evropa zbeh mbështetjen.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme