Suedia dhe Britania nënshkruajnë marrëveshje për mbrojtje para vendimit për NATO

16:14 | 11 Maj 2022
KRG

Kryeministri britanik, Boris Johnson, dhe homologia e tij suedeze, Magdalena Andresson, nënshkruan të mërkurën një marrëveshje të përbashkët mbrojtjeje në rast sulmi, në kohën kur Suedia po e shqyrton anëtarësimin e saj në NATO.

“Nëse Suedia do të sulmohej dhe do të kërkonte ndihmë nga ne, atëherë ne do t’i vinim në ndihmë”, deklaroi Johnson gjatë një konference të përbashkët për shtyp të zhvilluar në Suedi.

Nën Deklaratën Politike të Solidaritetit, “Nëse një prej dy shteteve do të vuante pasojat e një fatkeqësie apo të një sulmi, Mbretëria e Bashkuar dhe Suedia do t’i vinin në ndihmë njëri-tjetrit në një mënyra të ndryshme…ku mund të përfshihen edhe ndihmat ushtarake”, shtoi Andresson.

Johnson pritet të nënshkruajë një marrëveshje të ngjashme në Helsinki këtë të mërkurë, sipas zëdhënësit të tij.

Suedia dhe Finlanda do të vendosin në ditët në vijim nëse do të heqin dorë nga dekada paanshmërie dhe t’i bashkohen NATO-s, pas pushtimit rus të Ukrainës.

Të kujdesshëm mos shkaktojnë zemërimin e Moskës pasi kjo e fundit kundërshton çdo zgjerim të NATO-s, dy vendet nordike kanë kërkuar garanci sigurie nga anëtarët e NATO-s se do të mbrohen gjatë periudhës së ndërmjetme midis paraqitjes së aplikimit dhe marrjes së anëtarësimit të plotë.

Helsinki dhe Stokholmi kanë zhvilluar bisedime me anëtarët e fuqishëm të NATO-s, përfshirë SHBA-në, Francën dhe Gjermaninë, por dokumenti i nënshkruar me Britaninë është marrëveshja e parë e bërë publike.

Të ngjashme