Suedia akuzon Iranin për ndërhyrje kibernetike në një shërbim mesazhesh pas djegies së Kuranit

21:02 | 26 Shtator 2024
E.G

Autoritetet suedeze akuzuan Iranin për ndërhyrje kibernetike në një shërbim mesazhesh telefonike vitin e kaluar, duke dërguar mijëra mesazhe për të nxitur suedezët që të hakmerren kundër atyre që dogjën Kuranin.

Në vitin 2023, në Suedi pati disa raste të djegies së librit të shenjtë të fesë islame në publik, duke shkaktuar indinjatë në botën myslimane dhe shtuar shqetësimet për sulme nga xhihadistët.

“Policia ka arritur në përfundimin që sulmi kibernetik është kryer nga një grup që vepronte në emër të Rojës Revolucionare Iraniane”, njoftoi Shërbimi suedez i Sigurisë përmes një deklarate të martën.

“Qëllimi ishte, mes tjerash, që ta paraqesin Suedinë si një shtet islamofob dhe të krijojnë përçarje në shoqëri,” thuhet në deklaratë.

Vitin e kaluar, pas rasteve të djegies së Kuranit, Suedia ngriti shkallën e rrezikut nga terrorizmi.

Në një deklaratë tjetër, Prokuroria suedeze tha se hetimet treguan se ishte shteti iranian që e kreu sulmin kibernetik përmes Rojes Revolucionare Islamike.

Agjencia suedeze tha se ka identifikuar hakerët që kanë kryer ndërhyrjen kibernetike, por nuk ka ngritur akuza ndaj tyre.

“Meqë autorët e këtij sulmi po vepronin në emër të një fuqie të huaj, në këtë rast në emër të Iranit, kemi vlerësuar se kushtet për ndjekje penale jashtë vendit apo për ekstradimin e tyre në Suedi mungojnë”, thuhet në deklaratë.

Reagimi nga ambasada e Iranit në Stokholm nuk ishte i mundur të sigurohet. Ministria e jashtme e Iranit nuk e ka komentuar këtë zhvillim./voa/

Të ngjashme