Google ADS

Suedi, sigurimi i metrosë ushtron forcë ndaj një gruaje shtatzënë me ngjyrë

20:38 | 1 Shkurt 2019
Arbresh.info

Zyrtarët e sigurimit në metronë e kryeqytetit suedez Stokholm kanë ushtruar dhunë dhe kanë arrestuar një grua shtatzënë me ngjyrë, duke shkaktuar reagime të shumta në opinion, tregoi një video e shpërndarë në rrjetet sociale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Videoja është shpërndarë nga aktivistja Lovette Jallow, ndërsa në të shihet një grua me ngjyrë teksa ndaj saj ushtrohet dhunë nga ana e punonjësve në stacionin e metrosë Hötorget.

Pamjet tregojnë se gruaja me ngjyrë, e cila gjendet së bashku me vajzën e saj pesëvjeçare, bërtet duke kërkuar që ta lënë të qetë dhe se është shtatzënë.

Ndërkaq, një zyrtar i sigurimit i thotë të mos rezistojë, kurse dëshmitarët përreth reagojnë duke thënë “Është shtatzënë, a nuk e shihni”.

Ajo më pas është arrestuar për arsye të panjohura nga ana e sigurimit, i cili, siç dihet, nuk ka autoritet për të kontrolluar biletat, por vetëm të ndihmojë udhëtarët në raste problemesh.

Pas përhapjes së pamjeve, viktima thuhet të ketë biseduar me një aktiviste tjetër, së cilës i ka treguar se dhuna ndaj saj është ushtruar pasi ka humbur biletën dhe i ka informuar për këtë.

Jallow, aktivistja që shpërndau videon, e ka quajtur incidentin si racist, ndërsa ka thënë se sulmet e këtillë do të rriten nëse nuk kërkohet llogari.

Videoja është shpërndarë mbi 2.000 herë dhe ka marrë më shumë se 2.500 komente.

Ndërkaq, në një deklaratë në lidhje me rastin, Policia e Stokholmit njoftoi se gruaja është dërguar në spital dhe se ndaj zyrtarëve të sigurimit është ngritur padi.

Po ashtu, njoftohet se ndaj sigurimit të metrosë ka nisur edhe një hetim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme