Google ADS

Suedi, grupet e djathta ekstremiste kërkojnë djegien e xhamive dhe vrasjen e myslimanëve

15:35 | 14 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Disa persona të anëtarësuar në grupet e mbyllura të ekstremit të djathtë në rrjetet sociale në Suedi kanë kërkuar vrasjen e të gjithë myslimanëve në vend dhe djegien e xhamive, transmeton Anadolu Agency (AA).

Revista Expo ka publikuar bisedat e 11 grupeve të mbyllura në rrjetet sociale të përdorura nga individë të ekstremit të djathtë.

Sipas raportimit të revistës, shumë politikanë të Partisë Demokrate të Suedisë me orientim të djathtë ekstrem që njihet për qëndrimin kundër migrantëve, kanë bërë komente në këto grupe në të cilat janë të anëtarësuar 44 mijë persona.

Sipas lajmit, më së shumti nga racistët në grupet e mbyllura shfaqen shprehje kërcënuese dhe të urrejtjes kundër myslimanëve, ndërsa në shënjestër kanë qenë edhe refugjatët, afrikanët dhe politikanët suedezë të së majtës.

Komentet më të përdorura në grupe kanë qenë të tipit “të vriten të gjithë myslimanët në vend”, “të digjen xhamitë” dhe “të bastisen xhamitë dhe të vriten me pushkë gjahu myslimanët që bëjnë adhurim”.

Në biseda, kryeministri suedez, njëherësh kryetar i Partisë Social Demokrate, është shpallur “tradhtar i kombit” dhe madje është bërë thirrje për vrasjen e tij.

Psikologia Katie Cohen, anëtare e Institutit për Studime të Mbrojtjes Kolektive, ka thënë se komentet e tilla rikujtojnë gjuhën e përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Gjenocidit në Ruandë.

Ajo ka paralajmëruar se gjuha e tillë mund të ketë ndikim te persona të caktuar.

“Kjo nuk do të thotë që njerëzit që shkruajnë me gjuhë të dhunës dhe urrejtjes do ta bëjnë vetë punën, por kjo mund të forcojë prirjen për dhunë të personave të tjerë që i lexojnë këto interpretime dhe që kanë një ndjenjë të tepruar të urrejtjes”, ka thënë Cohen.

Ndërkaq, Mikail Yüksel, kryetar i Partisë Ngjyra të Ndryshme, ka theksuar se gjuha e urrejtjes ka arritur në një gjendje shqetësuese.

“Sulmi i armatosur ndaj dy xhamive gjatë namazit të xhumasë në Christchurch të Zelandës së Re dhe sulmi ndaj xhamisë në kryeqytetin norvegjez Oslo janë të mjaftueshme për të shpjeguar përmasat e rrezikut. Ata ndikohen nga postimet e urrejtjes në mediat sociale dhe internet dhe besojnë se myslimanët janë armiq dhe duhet të vriten”, ka thënë Yüksel.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme