Ministri i Naftës i Sudanit të Jugut, Awow Daniel Chuang, ka deklaruar se vendi i tij ka zbuluar një pus të ri të naftës në zonën Adar që përmban 5.3 milionë barelë të lëndës së papërpunuar, raporton Anadolu Agency (AA).
“Kjo është e para e këtij lloji që nga pavarësia (viti 2011). Deri tani, ne jemi shumë të lumtur për këtë”, u tha Chuang gazetarëve në kryeqytetin Juba.
Ai tha se zbulimi i bërë nga Dar Petroleum Operating Company është një hap i rëndësishëm përpara në eksplorimin dhe prodhimin e naftës së papërpunuar në vendin afrikan, i cili po rikuperohet pas krizës pesëvjeçare.
“Është një strukturë e re në një zonë të vjetër me koncesione, një zbulim shtesë për prodhimin ekzistues rreth 15 kilometra nga fusha e naftës Adar, që do të thotë se mund të fillojmë prodhimin brenda një kohe shumë të shkurtër. Është një zbulim prej 37 milionë barelëve dhe ne jemi të lumtur të rikuperojmë rreth 20% të kësaj”, tha Chuang.
“Përderisa ne po njoftojmë për këtë zbulim të ri, kjo nënkupton se ne duhet të veprojmë më shumë. Ne do të lëvizim në blloqe të tjera – B1 dhe B2, E1 dhe E2, si dhe të gjitha zonat e tjera, duke përfshirë edhe zonat e gjelbërta”, shtoi ai.
Duke folur për çështjen e ndotjes së ambientit, Chuang tha se po planifikojnë që të kryejnë një kontroll mjedisor për të përcaktuar sasinë e dëmeve në zonat që prodhojnë naftë në të gjithë vendin.
“Ky veprim do të bëhet nga një kompani ndërkombëtare për të na dhënë rrugëdalje për të korrigjuar disa nga dëmet që kanë ndodhur si rezultat i ndotjes në zonat e prodhimit të naftës”, tha ai.
Ai pranoi se ka ndotje të mjedisit kur ka prodhim në zonë nga bujqësia ose industria e naftës.
“Tani ne jemi duke përshpejtuar përpjekjet tona për t’u siguruar që kemi kryer një kontroll mjedisor në mënyrë që të përcaktojmë sasinë e dëmtimit të mjedisit. Është shumë e rëndësishme të bëni një analizë. Ajo do të zbulojë masën e saktë të dëmit brenda fushave të naftës”, tha ministri Chuang.
Ai shtoi se operacionet e naftës duhet të udhëhiqen duke u bazuar në rezultatet e kontrollit.
Xheneta kritikon ashpër Gjestin, ky i fundit fillon të qajë
Zelensky: Macron po na ndihmon në konsultimet lidhur me misi...
Cambridge largohet nga Trepça, mitrovicasit kanë një emër pë...
Struktura fetare e Kosovës: 93.49 % të besimit islam, 2,31 %...
Rriten rastet e braktisjes së shkollës në Kosovë
Profesori Koser: Kosova shembull që duhet ndjekur nga shtete...