Stoltenberg: Ukraina duhet të jetë e aftë të godasë në thellësi të territorit rus

17:46 | 15 Qershor 2024
R J

Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kanë qëndrime të ndryshme lidhur me përdorimin e armëve perëndimore nga Ukraina për të goditur objektiva ushtarake brenda territorit rus. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb, kohët e fundit Uashingtoni i dha Kievit leje për të përdorur armët amerikane që të godasë objektiva tokësore ushtarake brenda Rusisë, por me kufizime të rrepta gjeografike

Ndërsa vendet aleate dhe partnere debatojnë lidhur me përdorimin e armëve perëndimore nga Ukraina, shefi i NATO-s thotë se forcat ukrainase kanë të drejtë të godasin objektiva ushtarake brenda Rusisë.

“Nëse ata nuk do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë, atëherë ne po u kërkojmë atyre që të ushtrojnë të drejtën e vetëmbrojtjes me një dorë të lidhur pas shpine”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Zoti Stoltenberg mirëpriti vendimet e fundit nga disa shtete anëtare të aleancës për të zbutur kufizimet në përdorimin e disa armëve perëndimore për të goditur objektiva brenda Rusisë, kryesisht pasi Moska filloi të sulmonte Kharkivin nga brenda territorit rus.

Kohët e fundit, Uashingtoni i dha Kievit leje për të përdorur armët amerikane që të godasin objektiva tokësore ushtarake brenda Rusisë, por me kufizime të rrepta gjeografike

I pyetur nga Zëri i Amerikës nëse Kievi mund t’i përdorë armët amerikane për të goditur objektivat ushtarake që sulmojnë Ukrainën nga thellësia e territorit rus, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha: “Jo”.

“Nuk ka ndryshuar politika jonë lidhur me përdorimin e aftësive të goditjeve me rreze të gjatë për të kryer sulme thellë në Rusi. Por aftësia për të kundërvepruar në luftën në Kharkiv, çka është ajo për të cilën bëhet fjalë, shpresoj që ukrainasit t’i shfrytëzojnë më së miri këto aftësi”, tha shefi i mbrojtjes amerikane.

Gjenerali amerikan në pension, Frank McKenzie, ish kreu i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, thotë për Zërin e Amerikës se kjo nuk është e mjaftueshme.

“Po, por me disa kufizime. Duhet treguar kujdes i madh për të mos sulmuar qendrat bërthamore ruse, objektet e komandës dhe kontrollit bërthamor. Me përjashtim të kësaj, ne duhet t’i japim Ukrainës mundësi më të mëdha lidhur me sulmet brenda Rusisë. Ata nuk duhet të ndjehen të sigurte. Komanda, logjistika ruse dhe formacione të tjera ushtarake nuk rrezikohen fare, çka ka dëmtuar ndjeshëm aftësitë ukrainase për të reaguar në ofensivën e fundit”, thotë ai.

Furnizimi i Ukrainës me avionë luftarakë amerikanë të tipi F-16 do t’i sigurojë Kievit aftësi më të mëdha mbrojtëse nga bombat ruse. Shtetet e Bashkuara thonë se avionët do të mbërrijnë në Ukrainë këtë verë. /VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme