Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nuk pret që NATO-ja të miratojë kërkesën e Ukrainës për t’i nisur ftesë zyrtare për t’iu bashkuar aleancës, në samitin e ardhshëm të saj, që mbahet në korrik.
“Në samitin në Vilnius, dhe teksa bëjmë përgatitjet për samit, ne nuk jemi duke diskutuar çështjen e ftesës zyrtare”, ka thënë ai të hënën, pas një takimi që ka zhvilluar me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Berlin.
“Ne jemi duke diskutuar se si ta afrojmë Ukrainën me NATO-n”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka përsëritur vazhdimisht javëve të fundit se ai pret ftesë zyrtare për anëtarësimin e shtetit të tij, përgjatë samitit në Vilnius, kryeqytetin e Lituanisë.
Ai ka thënë se as në Ukrainë, as në Evropë, apo edhe NATO, shumica e popullatës nuk do ta kuptonte nëse Kievi nuk do ta pranonte “një ftesë të merituar”, në takimin e nivelit të lartë në Lituani.
Mirëpo, sipas Stoltenbergut, nuk do të ketë më shumë diskutime në këtë temë.
Ndonëse nuk ka bërë të ditura hollësi, ai ka thënë se aleatët janë duke u pajtuar në shumë pika që lidhen me Ukrainën.
Tani për tani ekziston një marrëveshje që dera e NATO-s është e hapur, dhe Ukrainës veçse i ofruar perspektiva e anëtarësimit në aleancë, në një samit të mbajtur në Bukuresht, më 2008.
Aktualisht, Ukraina po përballet me luftën e nisur nga Rusia në territorin e saj, qysh prej 24 shkurtit të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL
UNDP i dhuron policisë pajisje pune për kontroll në vijën e ...
Anisa-Gjestit: Ti je qeni i Xhenetës
Ismet Bahtijarit i vazhdohet paraburgimi nga Specialja
Dronë të dyshimtë mbi bazat ushtarake amerikane, Britania di...
Vesa Luma shënon 20-vjetorin e karrierës së saj me koncert m...
Gjermani, AfD rekomandon daljen nga BE në programin e saj el...