Stoltenberg: Lufta mund të zgjasë me vite në Ukrainë

17:10 | 6 Prill 2022
A. B.

Edhe pse Rusia tani po përqendron sulmin në Ukrainën lindore, NATO-ja nuk ka parë “asnjë tregues” se qëllimi i presidentit rus, Vladimir Putin për të kontrolluar të gjithë vendin ka ndryshuar, tha të mërkurën Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.

Duke folur për gazetarët përpara një takimi në Bruksel të ministrave të jashtëm të aleatëve të NATO-s, Stoltenberg paralajmëroi gjithashtu se lufta në Ukrainë mund të zgjasë me vite, raporton Cnn.

“Ne nuk kemi parë asnjë tregues se presidenti Putin ka ndryshuar ambicien për të kontrolluar të gjithë Ukrainën dhe gjithashtu për të rishkruar rendin ndërkombëtar, kështu që ne duhet të jemi të përgatitur për një afat të gjatë”, tha ai duke shtuar se “Duhet të jemi realistë dhe të kuptojmë se kjo mund të zgjasë për një kohë të gjatë, për shumë muaj apo edhe vite”.

Ministrat e jashtëm të vendeve të NATO-s do të takohen të mërkurën dhe të enjten për të diskutuar rritjen e mbështetjes për Ukrainën.

Kievi ka bërë thirrje për tanke dhe aeroplanë luftarakë në krye të sistemeve mbrojtëse të ofruara tashmë nga Perëndimi.

Norvegjezi paralajmëroi se lufta në Ukrainë do të ketë implikime afatgjata të sigurisë për Evropën, pavarësisht se kur do të përfundojë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme