Stokholm, akademikët dhe gazetarët kërkojnë t’i tërhiqet çmimi nobel Handke-s

23:08 | 9 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Ai theksoi se është e papranueshme që Akademia Suedeze e Shkencave ta nderojë me çmim një shkrimtar që mohon gjenocidin në Bosnjë e Hercegovinë, gjenocid që është pranuar në të gjithë botën.

Gazetarët dhe akademikët nga vende të ndryshme të botës janë tubuar në Stokholm duke kërkuar që autorit austriak Peter Handke t’i tërhiqet çmimi Nobel për letërsinë për shkak të mohimit të tij për gjenocidin e kryer në vitin 1995 në Srebrenicë, raporton Anadolu Agency (AA).

Gazetarët dhe akademikët u tubuan në ndërtesën ABF në Stokholm.

Të pranishëm ishin edhe Alida Bremer, shkrimtare gjermane me origjinë kroate, gazetarja gjermane dhe franceze Elke Schmitter, gazetari amerikan Roy Hartmann, drejtori i Qendrës Memoriale Srebrenica – Potoçari, Emir Suljagiq, gazetarja suedeze Christina Doctare, anëtarët e Komitetit Norvegjez të Helsinkit, Enver Djuliman dhe Mirsad Duratoviq, si dhe të tjerë.

Në emër të grupit të tubuar foli politikani nga Bosnjë e Hercegovina që jeton në Suedi, Alen Musaefendic. Ai porositi se të tubuarit kërkojnë që Handke-s t’i tërhiqet çmimi Nobel, sepse ai mbështet krimet e luftës serbe të kryera në Bosnjë e Hercegovinë.

Ai theksoi se është e papranueshme që Akademia Suedeze e Shkencave ta nderojë me çmim një shkrimtar që mohon gjenocidin në Bosnjë e Hercegovinë, gjenocid që është pranuar në të gjithë botën.

“Këtu janë tubuar shkrimtarë dhe akademikë të rëndësishëm për të reaguar ndaj një situatë të këtillë. Kërkohet tërheqja e çmimit”, tha Musaefendic.

Peter Englund, ish-sekretari i Akademisë Suedeze të Shkencave që ndau çmimin Nobel për letërsinë, të premten tha se ai do të bojkotojë çmimet e këtij viti për shkak të vendimit për t’i ndarë çmimin shkrimtarit austriak, i cili ka mbështetur presidentin serb, Sllobodan Millosheviç.

Pas Kosovës, po ashtu edhe Shqipëria, Turqia dhe Kroacia njoftuan se nuk do të marrin pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel në Stokholm për shkak të fituesit të diskutueshëm të çmimit Nobel për letërsi, Peter Handke.

– Peter Handke

Shkrimtari austriak Handke ka lindur në vitin 1942 në fshatin Griffen në rajonin Karnten në jug të Austrisë. Nga viti 1961 ai ka studiuar për drejtësi në Universitetin e Grazit. Por i ndërpreu studimet disa vjet më vonë kur e publikoi novelën, “Die hornissen”, në vitin 1966.

Përzgjedhja e Handke-s si laureat i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2019 shkaktoi reagime në rajon dhe më gjërë.

Handke i cili ishte një admirues i madh i Millosheviqit, në një shkrim të publikuar gjatë luftës në Kosovë, kishte shkruar “Nëse mbështetni serbët, çohuni në këmbë”.

Autori austriak kishte theksuar se asnjëherë nuk beson se serbët kanë kryer gjenocid në Srebrenicë.

Ai gjithashtu kishte vizituar në burg Milloseviqin dhe kishte bërë përpjekje për të dëshmuar në favor të tij.

Handke poashtu kishte marrë pjesë në varrimin e Millosheviqit në vitin 2006, ku në fjalim ishte shprehur se “Këtu gjendem për Jugosllavinë, Serbinë, Sllobodan Millosheviqin”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme