Google ADS

Steve Barclay, ministri i ri britanik për Brexitin

13:23 | 17 Nëntor 2018
Arbresh.info

Steve Barclay është ministër i ri i Sekretariatit për Brexit, bëri të ditur Qeveria e Britanisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Emërimi i tij u bë një ditë pas dorëheqjes së ish-ministrit Dominic Raab, i cili në arsyetimin e tij tha se është i pakënaqur nga marrëveshja e arritur mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian(BE) mbi Brexit-in.

Barclay, i cili është i njohur për qëndrimet e tij për braktisje të Bashkimit Evropian, më parë ka shërbyer në ministrinë e Shëndetësisë.

Ish-ministrja e Brendshme, Amber Rudd, është emëruar ministre për Punë dhe Pensione, me çka ka zëvendësuar Esther McVeyn, e cila gjithashtu dha dorëheqja nga shkaku i marrëveshjes së propozuar mbi Brexit-in.

Rudd, një mbështetëse e fortë e kryeministres May, ishte pjesë e kabinetit të saj deri në prill, atëherë kur dha dorëheqje pasi dështoi të adresojë rolin e saj në krizën me migrantët, të njohur si skandali Windrush, lidhur me trajtimin e ashpër të imigrantëve të moshuar që ishin sjellë në vend nga Karaibet, shtatë dekada më parë.

May, të enjten u zotua se do të vazhdojë me marrëveshjen e saj Brexit. Në falënderimin e saj për ministrat e dorëhequr Raab dhe McVey, May tha se ndjen keqardhje për largimin e kolegëve të saj.

“Të shërbyerit në zyrën e lartë është një nder dhe privilegj, por njëkohësisht një përgjegjësi e madhe”, tha ajo, për të shtuar se marrëveshja Brexit është një çështje me pasoja të mëdha.

Ajo shtoi më tej se marrëveshja e miratuar nga kabineti të mërkurën, u jep njerëzve atë për të cilët kanë votuar.

“Që nga fillimi, unë e dija se çfarë dua për britanikët në mënyrë që të nderoj votën e tyre në referendum”, tha May.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme