Një eksperte e ligjit ndërkombëtar për refugjatët thotë se bujaria e mikëpritjes së ukrainasve nga vendet evropiane, ka rindezur një ndjeshmëri dhe shpirt human në mbarë botën ndërsa ka shpalosur standartin e dyfishtë të ndjekur nga Evropa dhe vende të tjera ndaj grupeve të tjera të refugjatëve. Leah Zamore, drejtuese e programit për Krizat Humanitare në Qendrën për Bashkëpunimin Ndërkombëtar në Universitetin e Nju Jorkut shpreson se kjo krizë do të sjellë ndryshim në trajtimin e atyre që janë tashmë refugjatë apo që do të kërkojnë strehim në të ardhmen.
Zëri i Amerikës: Jemi dy javë që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë dhe më shumë se dy milionë ukrainas janë larguar nga vendi dhe po mirëpriten në vendet fqinje në Evropë. A mendoni se Evropa është e përgatitur për të pritur këtë numër njerëzish që po vërshojnë me kaq shpejtësi? Çfarë mund të presim në javët në vijim?
Leah Zamore: Ajo që po shohim është në fakt eksodi më i shpejtë masiv i refugjatëve pak a shumë kudo në botë që nga Lufta e Dytë Botërore. Për krahasim, në krizën më të madhe të refugjatëve në botë, që është ajo e refugjatëve sirianë, u deshën disa vite që të arrinte numri i refugjatëve që po shohim tani në disa ditë, në më pak se dy javë. Pra, shpejtësia e këtij eksodi është vërtet e paprecedentë. Kështu që padyshim që do të jetë e vështirë mendoj për t’i sistemuar njerëzit shpejt në këto lloj përmasash. Nga ana tjetër, ajo që po shohim është një përgjigje jashtëzakonisht bujare, të paktën kur bëhet fjalë për krizën e Ukrainës.
Polonia ka pranuar tashmë më shumë se një milion njerëz që është një gjë e jashtëzakonshme. Por jo të gjithë mund të qëndrojnë në Poloni. Kështu që pyetja që shtrohet është si do të mund të ndajë Evropa përgjegjësinë për pritjen e refugjatëve, sepse numrat po vazhdojnë të rriten çdo ditë. Nga disa vlerësime tani, mund të ketë deri në 10 milionë refugjatë. Kjo do të varet se sa brutale dhe sa kohë do të vazhdojë lufta. Shpejtësia është padyshim një çështje sfiduese. Por përgjigja e politikës, të paktën kur bëhet fjalë për shtetasit ukrainas, ka qenë shumë shumë bujare. Është pikërisht lloji i përgjigjes që kërkon ligji ndërkombëtar për refugjatët.
Zëri i Amerikës: Ndërsa mikpritja e ukrainasve nga vendet evropiane është duartrokitur, ajo ka nxjerrë në pah gjithashtu ndryshimin e madh në trajtimin e marrë nga migrantët dhe refugjatët nga vendet e tjera, veçanërisht sirianët që ikën në vitin 2015. Gjatë asaj kohe BE-ja bëri thirrje për ndalimin e refugjatëve që mbërrinin deri në 18 muaj. Nuk po ndodh e njëjta gjë sot pas agresionit rus të Ukrainës. Ju e keni quajtur këtë një politikë me standarde të dyfishta të Evropës. Si mund të adresohet kjo situatë?
Leah Zamore: Po, nga njëra anë po shohim një përgjigje jashtëzakonisht bujare ndaj ukrainasve dhe pikërisht kjo është ajo që kërkohet sipas ligjit ndërkombëtar për refugjatët.
Pra, njëri krahasim është mes asaj që po ndodh tani dhe asaj që ndodhi në 2015 kur pak më shumë se një milion kryesisht sirianë, por jo vetëm sirianë mbërritën në BE dhe më pas ata u ndeshën me një përgjigje të dyerve të mbyllura, u përballën me ndalime, kthime të paligjshme. Njerëzit u lanë të mbyten në Mesdhe.
Pra, ishte një përgjigje shumë, shumë jobujare për ta thënë butësisht.. Dhe e shohim këtë dinamikë ende. E dini, shumë nga njerëzit që po largohen nga Ukraina nuk janë në fakt shtetas ukrainas.
Ka pothuajse njëqind mijë studentë të huaj, për shembull, të cilët janë në Ukrainë nga India, Maroku, Nigeria, Afganistani apo në Jemeni. Ata gjithashtu po përpiqen të largohen dhe kanë pasur probleme. Ata janë zbritur nga trenat apo janë ndaluar në kufij. U është thënë të ecin pasi nuk do të lejohen në autobusë. Ka pasur raportime për abuzim dhe dhunë. Dhe kështu po shohim një lloj tjetër standardi të ndryshëm edhe tani. Mendoj se ka pasur mjaft presion mediatik për këtë çështje dhe situata po ndryshon disi.
Kjo është një çështje shumë e pranishme që mendoj se kërkon mjaft vëmendje. Pastaj ka edhe grupe të tjera refugjatësh në Evropë. Kemi njerëz për shembull që u shtynë nga kufiri i Polonisë në Bjellorusi dhe Polonia tani, ndërsa flasim, po ndërton një mur përgjatë atij kufiri. Ne ende shohim njerëz që shtyhen të kthehen në Libi, ku përfundojnë në burgje, aq të tmerrshme saqë edhe zyrtarët e BE-së i kanë krahasuar me kampe përqendrimi. Pra, përsëri po shohim atë që ka qenë një standard i dyfishtë historik të shfaqet para syve tanë në mënyra të ndryshme. Mendoj se ka pasur mjaft vëmendje për këtë çështje që ka sjellë ndryshime të politikave, por që ato të shndërrohen në ndryshim të praktikave në terren, do të kërkojë shumë fokus.
Zëri i Amerikës: A mendoni se ka ndoshta më shumë solidaritet si të thuash me situatën e refugjatëve tani, nga mënyra se si ukrainasit po luftojnë për sovranitetin e vendit të tyre dhe po i rezistojnë pushtimit? Nga mbulimi mediatik, ne shohim shumë gra me foshnje në krahë që largohen nga lufta, ndërsa burrat qëndrojnë pas për të luftuar.
Leah Zamore: Mendoj se e gjithë bota është e bashkuar dhe në mbështetje të Ukrainës dhe ukrainasve. Dua të them se rezistenca që ata po bëjnë është e jashtëzakonshme, niveli i një lloji këmbënguljeje përballë asaj që është një fatkeqësi e tmerrshme. Mendoj se me të vërtetë i ka zgjuar botës një lloj ndjeshmërie, na ka dhënë zemër dhe shpirt dhe kjo mund të jetë e vetmja gjë e mirë. Vërtet ukrainasit kanë nevojë dhe e meritojnë këtë lloj mbrojtjeje dhe po e marrin atë.
Gjithashtu mendoj se ka një lloj keqkuptimi rreth llojeve të tjera të grupeve të refugjatëve. Shumica e refugjatëve në mbarë botën janë gra dhe fëmijë. Dhe kjo është e vërtetë pavarësisht nga kombësia. Ne e shohim këtë ngado. Kjo është e vërtetë për sirianët, është e vërtetë për çdo popullsi refugjatësh. Pra, ka disa keqkuptime se kriza e refugjatëve ukrainas është disi e ndryshme dhe në këtë drejtim mendoj se meriton një lloj rivlerësimi.
Zëri i Amerikës: Çfarë pasojash do të ketë kriza aktuale tek grupet e tjera të refugjatëve që janë tashmë në Evropë?
Leah Zamore: Vëmendja që është e përqendruar me të drejtë tek Ukraina mund të tërheqë vëmendjen nga krizat e tjera të refugjatëve dhe për këtë arsye, të lejojë trajtim edhe më të ndryshëm për ta. Shqetësimi tjetër sigurisht është se çfarë mund të sjellë kjo për grupet e refugjatëve që janë jashtë Evropës. Ajo që unë pres dhe jam shumë e shqetësuar është një devijim i financimit për shembull, drejt Evropës dhe larg krizës së refugjatëve afganë, krizës së refugjatëve sirianë, apo në Mianmar.
Një çështje tjetër që mendoj se sapo ka filluar të tërheqë vëmendjen, është gjithnjë e më shumë shqetësimi se çfarë mund të nënkuptojë kjo luftë për urinë në nivel global dhe sigurisht për refugjatët në veçanti, sepse ata priren të jenë një nga grupet më të prekshme. Ukraina dhe Rusia janë të dyja furnizuesit kryesorë të grurit. Pra, ne mund të jemi në prag të një krize të re urie globale. Uria tashmë po rritej si problem për shkak të pandemisë. Dhe, ndërkohë që bota është e bashkuar në mbështetje të Ukrainës, ne nuk duhet të harrojmë të gjitha efektet që kjo luftë e tmerrshme mund të ketë në të gjithë botën, duke përfshirë situatat e tjera të refugjatëve./voa/
Anisa ka një kërkesë për Drilonin, ky e refuzon
“Bixhoz me partnerët”, Konjufca për Osmanin: Mund të përdort...
Arsovska: Nuk do të kandidojë për një mandat të dytë për qyt...
Arrestohet personi që vodhi automjetin që u përdor në atenta...
Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e fshatit Kopanky të...
Trajneri i Empolit flet për largimin e mundshëm të Ardian Is...