Stamboll, konferencë mbi vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor

19:07 | 2 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Qawasmeh kritikoi paralajmërimin e fundit të sekretarit amerikan të shtetit, Mike Pompeo, se SHBA nuk do t’i konsiderojë të paligjshme vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor.

Në një konferencë në Stamboll është diskutuar mbi vendbanimet e paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Feras Qawasmeh, kreu i Departmentit Palestinez për Çështjet e Pronës i bazuar në Stamboll, si dhe studiuesi i pavarur Hamza Halaybeh prezantuan një studim të përbashkët me titull “Vendbanimet/kolonistët izraelitë dhe muri aparteidit në Bregun Perëndimor” në seminarin e organizuar në Universitetin Sabahattin Zaim.

Duke folur për AA para seminarit, Qawasmeh kritikoi paralajmërimin e fundit të sekretarit amerikan të shtetit, Mike Pompeo, se SHBA nuk do t’i konsiderojë të paligjshme vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor.

“Kjo nuk është e drejtë. Para se gjithash, kjo është kundër të gjitha ligjeve ndërkombëtare. Ka shumë rezoluta ndërkombëtare që deklarojnë saktësisht të kundërtën e asaj që ministri i jashtëm amerikan ka përmendur në deklaratën e tij. Askush nuk do ta pranojë atë”, deklaroi Qawasmeh.

Halaybeh, nga ana e tij, për AA tha se masa e SHBA-ve nuk është “e pranuar nga pala palestineze, as në mënyrë popullore dhe as në atë zyrtare”.

“Është kundër zgjidhjes me dy shtete, për të cilën ata punojnë për më shumë se 20 vite midis palestinezëve dhe izraelitëve”, tha Halaybeh.

Sipas zgjidhjes me dy shtete, një Palestinë e pavarur bashkë-ekziston në mënyrë paqësore me fqinjin e saj izraelit në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

Qawasmeh thekson se fraksionet palestineze pajtohen për të refuzuar Marrëveshjen e Shekullit, planit të paqes me mbështetjen e SHBA-ve.

Ai kërkoi unitet midis palestinezëve, duke theksuar se “pa këtë unitet, zëri ynë nuk do të arrijë (komunitetin ndërkombëtar)”.

Qawasmeh po ashtu inkurajoi çdo aktivitet që, siç tha ai, “përhap vetëdijen për të drejtat e popullit palestinez për të jetuar në tokat e tyre”.

Rreth 650 mijë hebrenj izraelitë aktualisht jetojnë në më shumë se 100 vendbanime të ndërtuara që nga viti 1967, kur Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

Palestinezët insistojnë të rikthejnë tërë Bregun Perëndimor së bashku me Rripin e Gazës për krijimin e një shteti të ardhshëm palestinez.

Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor ligji ndërkombëtar i sheh si territore të pushtuara dhe të gjitha aktivitetet e ndërtimit atje i konsideron si të paligjshme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme