Sri-Lanka kthen dënimin me vdekje, do t’i ekzekutojë katër trafikues droge

17:51 | 26 Qershor 2019
L G

Presidenti i Sri-Lankës, Maithripala Sirisena, e ka nënshkruar urdhrin për ekzekutimin e katër trafikuesve të drogës, duke i dhënë fund moratoriumit 43-vjeçar për pezullimin e dënimit me vdekje.

Sirisena tha të mërkurën se e ka nënshkruar urdhrin për zbatimin e dënimit me vdekje për këta persona. Ai njoftoi se në këtë dokument janë edhe datat e ekzekutimeve dhe se urdhri u është dorëzuar autoriteteve të burgjeve.

Ai tha se përdorimi i drogës është bërë rrezik serioz në tërë vendin dhe se deri tash janë rreth 300 mijë persona të varur nga substancat narkotike. Sipas presidentit të këtij shteti, 60 për qind e 24 mijë personave të burgosur janë dërguar prapa grilave pikërisht për shkak të drogës.

Burgjet e Sri-Lankës kanë hapësirë vetëm për 11 mijë të burgosur, ndërsa numri aktual është jashtë standardeve. Autoritetet e Sri-Lankës e kanë ekzekutuar një të burgosur për herë të fundit në vitin 1976, ndërsa një praktikë e tillë ishte ndërprerë përmes një moratoriumi.

Trafikimi i drogës cilësohet vepër e rëndë penale në Sri-Lankë. Autoritetet besojnë se vendi i tyre përdoret më tepër si transit për trafikimin e substancave narkotike. Vetëm në vitin 2017, mbi 81 mijë persona janë arrestuar në Sri-Lankë për shkak të drogës, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme