Google ADS

Spanjë/ Zbulohet plantacioni më i madh me kanabis, arrestohen 2 shqiptarë

01:28 | 5 Shtator 2022
Trina Galanxhi

Agjentët e Gardës Civile arrestuan dy shtetas me kombësi shqiptare që dyshohet se janë përgjegjës për një nga plantacionet më të mëdha të marijuanës që janë vendosur në Galicia, të Spanjës vitet e fundit.

Plantacioni ishte ngritur në një tokë që i përkiste pyllit komunal të famullisë së Pedre në komunën Cerdedo-Cotobade.

Sipas mediave të huaja dy shqiptarët janë arrestuar në malin e Pedrës, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Këtij të fundit, i janë gjetur disa dokumente.

Garda Civile ka bërë të ditur se bëhej fjalë për plantacionin më të madh të identifikuar vitet e fundit në veriperëndim të Spanjës, me rreth 3.437 bimë kanabis në një zonë prej 2.500 metra katrorë.

Dy personat që u vunë në pranga jetonin në dy tenda që ndodheshin ngjitur me plantacionin. Ata kishin mjetet e nevojshme për të jetuar për një kohë të gjatë. Ndër të tjera, ata kishin një kuzhinë me sobë dhe ushqime e pije të bollshme.

Në këtë kamp, Garda Civile verifikoi edhe praninë e materialeve të ndryshme të ndërtimit për të punuar tokën si lopata, kazma dhe mjete të tjera bujqësore, plehra kimike dhe produkte kopshti.

Operacioni përfundoi me prerjen e bimëve narkotike, ndërsa të arrestuarit, së bashku me procedimin e udhëzuar, u transferuan në Gjykatën e Instruksionit numër tre të Pontevedra, e cila dha masën e arrestit me burg. Autoritetet spanjolle po vijojnë punën për kapjen e personit të tretë./Opinion.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme