Google ADS

Spanjë, të paktën 17 të plagosur në një shpërthim në qendër të Madridit

19:17 | 6 Maj 2022
Lorik Gerbeshi

Lagjja Salamanca në kryeqytetin spanjoll Madrid është tronditur nga një shpërthim ku si pasojë janë lënduar të paktën 17 persona, raporton Anadolu Agency (AA).

Shpërthimi ndodhi në një ndërtesë apartamentesh disa blloqe larg Parkut Retiro, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ndërtesë dhe në makinat aty pranë.

Shërbimi i Urgjencës së Madridit bëri të ditur se 17 persona janë lënduar, katër prej të cilëve janë transportuar në spital. Bëhet e ditur se njëri prej tyre është në gjendje të rëndë.

Zjarrfikësit kanë vijuar kontrollin e vendit të ngjarjes dhe kërkimin e viktimave të mundshme. Policia e Madridit po inspekton ndërtesën nga ajri me dronë.

Njerëzit që ndodhën pranë vendit gjatë shpërthimit, thanë se ndërtesat e tjera u dridhën gjithashtu, ndërsa disa thanë se kishte një erë të fortë gazi.

Autoritetet nuk e kanë konfirmuar shkakun e shpërthimit dhe po hetojnë mundësinë që shkaku të ketë qenë rrjedhja e gazit.

Në janar 2021, një rrjedhje gazi shkaktoi një shpërthim të madh në qendër të Madridit, ku humbën jetën katër persona.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme