Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez synon gjysmën e dytë të majit për fillimin e lehtësimit të masave në vendin e tij, pasi qeveria e tij dhe të tjerët fillojnë të planifikojnë daljen nga masat e rrepta për koronavirusin.
Duke folur në parlament të mërkurën, ndërsa kërkoi zgjatjen e urdhërave aktualë të bllokimit deri më 9 maj, zoti Sanchez tha se kur Spanja të fillojë lehtësimin e kufizimeve, do të jetë një proces “i ngadaltë dhe gradual”.
Kjo do të ishte në përputhje me paralajmërimet e zyrtarëve të shëndetit publik, të cilët ditëve të fundit u kanë bërë thirrje qeverive të jenë të kujdesshëm kur heqin kufizimet për bizneset dhe jetën publike, duke thënë se lëvizja shumë e shpejtë do të rrezikonte një ringjallje të infeksioneve.
Spanja ka qenë një nga vendet më të goditura në botë, me më shumë se 208 mijë raste të konfirmuara të COVID-19 dhe të paktën 21.700 vdekje.
Masat e rrepta hynë në fuqi në mes të marsit. Disa biznese janë lejuar të rihapen, dhe pas kritikave publike, qeveria tha se duke filluar të dielën fëmijët nën moshën 14 vjeç do të lejohen të shkojnë jashtë për shëtitje.
Fokusimi tek testimet
Me shumë vende të botës të përqendruara në programet e testimit për të gjetur të infektuarit, izolimin e tyre dhe gjurmimin e kontakteve të tyre të ngushta, ekzistojnë shqetësime në lidhje me fushat ku nuk është i disponueshëm testimi masiv dhe ku njerëzit jetojnë në mjedise të vogla.
Kjo përfshin kampet e refugjatëve dhe të mërkurën agjensia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) raportoi rastin e parë të konfirmuar mes refugjatëve në një kamp në Libanin lindor.
UNRWA tha se gruaja është një palestineze nga Siria dhe se ajo është dërguar në një spital në Beirut. Agjensia thotë se po bën gjithçka që është e nevojshme për të ndihmuar familjen e saj të izolohet dhe se po dërgon një ekip në kamp për të kryer teste të koronavirusit.
Qeveritë po kërkojnë gjithashtu zbulimin e një vaksine për COVID-19, një moment historik që do të ndihmonte në parandalimin e shpërthimeve masive në të ardhmen.
Robert Redfield, drejtori i Qendrave të Shteteve të Bashkuara për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), i tha gazetës The Washington Post të martën se një valë e dytë e infeksioneve më vonë këtë vit, ashtu si fillimi i sezonit të gripit, “mund të jetë edhe më i vështirë” dhe të krijojë një mbingarkesë masive në sistemin e kujdesit shëndetësor.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë ndër vendet që aktualisht po kryejnë prova për vaksinat e koronavirusit, ndërsa zyrtarët paralajmërojnë se mund të presim të paktën deri në fillimin e vitit të ardhshëm që një vaksinë të jetë e disponueshme për publikun. Zyrtarët britanikë të shëndetit thanë që Universiteti i Oksfordit është vendosur të fillojë testimin e një kandidati për vaksina tek njerëzit të enjten.
“Në kushte normale, për mbërritjen në këtë fazë do të duhej një vit,” u tha gazetarëve Sekretari i Shëndetësisë Matt Hancock. Ai paralajmëroi se zhvillimi i vaksinave është një proces “gabimesh dhe testimesh të përsëritura”./voa/
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...
Kruajtja nën sqetull – shenjë paralajmëruese e kancerit ose ...