Spanjë, greva në transportin hekurudhor shkakton anulimin e 700 udhëtimeve

23:51 | 31 Korrik 2019
Arbresh.info

Shtatëqind udhëtime të trenave në mbarë Spanjën janë anuluar si pasojë e një greve të punonjësve të transportit hekurudhor me thirrje të Konfederatës së Përgjithshme të Punës (CGT), transmeton Anadolu Agency (AA).

CGT, me të cilën punonjësit hekurudhorë janë të lidhur, ka organizuar grevën pasi ka kritikuar operatorin shtetëror të hekurudhave, RENFE, për mungesë të personelit, bonuse të ulëta dhe në lidhje me marrjen e shërbimeve të jashtme dhe ka kërkuar zgjidhje për problemet në fjalë.

Punëtorët e CGT-së kanë vendosur të braktisin punën nga ora 12:00 deri në ora 16:00 dhe nga ora 20:00 deri në ora 24:00 sipas kohës lokale, ndërsa 700 udhëtime të trenave të udhëtarëve, mallrave dhe trenave të shpejtë janë anuluar.

– CGT do të mbajë grevë edhe më 14 dhe 30 gusht dhe më 1 shtator

Greva e punonjësve hekurudhorë, e cila përkon me periudhën e pushimeve, ka shkaktuar vështirësi veçanërisht për qytetarët që udhëtojnë në qytete të mëdha, siç janë Madridi dhe Barcelona.

RENFE, e cila për shkak të grevës është detyruar të ofrojë shërbime minimale, njoftoi se nuk do të zbatojë kosto shtesë për ndërrimet dhe kthimet e biletave.

Për shkak të mosarritjes së një marrëveshjeje pas negociatave me Ministrinë e Tranportit dhe Ndërtimit, CGT njoftoi se grevë do të organizohet edhe më 14 dhe 30 gusht dhe më 1 shtator.

Më 15 korrik, grevë me arsyetime të ngjashme mbajti edhe sindikata “Komisionet e Punëtorëve”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme